Një moment familjar dhe plot emocione ka pushtuar skenën në Kopenhagë, ku Rihanna dhe djali i saj 3-vjeçar, Riot, iu bashkuan ASAP Rocky-t gjatë koncertit të tij në Royal Arena.
Teksa reperi po performonte hitin “Lord Pretty Flacko Jodye 2”, Rihanna u shfaq pranë tij me Riot në krahë, ndërsa flakët që shpërthenin në skenë e bënë atmosferën edhe më spektakolare.
Surpriza e mbrëmjes erdhi pak çaste më vonë, kur Riot zbriti nga krahët e së ëmës dhe u pozicionua mes prindërve të tij. Me një qetësi të habitshme për moshën e tij, vogëlushi mori mikrofonin e të atit dhe iu drejtua publikut, duke e falënderuar.
Në fund të momentit të veçantë, Riot bashkoi grushtin me atë të ASAP Rocky-t, ndërsa në një tjetër video të filmuar gjatë koncertit, reperi shihet duke kënduar me të birin në krahë.
Momenti i ëmbël familjar u filmua nga fansat e pranishëm në Royal Arena dhe u shpërnda me shpejtësi në rrjetet sociale, duke tërhequr vëmendjen e fansave të çiftit.





