Për një kohë të gjatë, shkencëtarët nuk e kanë kuptuar plotësisht se çfarë e bën trupin të “kuptojë” se foshnja është gati të lindë dhe se duhet të nisin kontraksionet.
Tani, një studim i ri sugjeron se sistemi imunitar mund të luajë një rol kyç në nisjen e procesit të lindjes, sipas New Scientist.
Studiuesit zbuluan se, në fund të shtatzënisë, disa qeliza të sistemit imunitar duket se u japin energji qelizave të muskujve të mitrës, duke ndihmuar në aktivizimin e kontraksioneve.
“Duke kuptuar të gjitha hapat e këtij procesi, po afrohemi më shumë te mundësia për të gjetur trajtime që mund të ndihmojnë në parandalimin e lindjes së parakohshme”, tha Stephen Lye, studiues në Spitalin Mount Sinai në Toronto të Kanadasë.
Çfarë ndodh në trup?
Studiuesit kishin zbuluar më herët se, në fund të shtatzënisë, mitra çliron disa substanca sinjalizuese të quajtura citokina dhe kemokina.
Këto substanca veprojnë si një lloj “mesazhi”, duke tërhequr qeliza të sistemit imunitar nga qarkullimi i gjakut drejt mitrës.
Një prej këtyre qelizave është monociti.
Pasi hyn në indet e muskujve të mitrës, monociti shndërrohet në një lloj tjetër qelize imunitare, të quajtur makrofag.
Sipas gjetjeve të reja, këto ndryshime në aktivitetin e sistemit imunitar mund të jenë pjesë e mekanizmit që ndihmon trupin të kalojë nga gjendja e qetë e shtatzënisë drejt kontraksioneve dhe procesit të lindjes.
Studiuesit shpresojnë se kuptimi më i mirë i këtij mekanizmi mund të ndihmojë në të ardhmen në zhvillimin e trajtimeve për parandalimin ose menaxhimin e lindjes së parakohshme.





