Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, ka marrë fjalën në Komisionin e Ligjeve, ku ka mbështetur propozimin e opozitës për një hartë të re territoriale me 100 bashki dhe 12 qarqe.
Gjatë fjalës së tij, Qosja argumentoi se rritja e territorit të bashkive nuk ka sjellë përmirësim të shërbimeve për qytetarët. Ai kërkoi që reforma e mëparshme të vlerësohet përpara se të merret një vendim për hartën e re territoriale, ndërsa theksoi nevojën për dëgjimin e komuniteteve që do të preken nga ndryshimi i kufijve.
“A-ja e gjithçkaje është ndarja territoriale dhe afërsia me qytetarin. Për kompetencat jam dakord, por afërsia me qytetarin është më e rëndësishme. Si përfaqësues i Shoqatës së Bashkive dhe të Zgjedhurve Vendorë që përfaqëson bashkitë e opozitës, dua të bëj të qartë që ne qëndrojmë për 100 bashki dhe 12 qarqe”, tha Qosja.
Sipas tij, një ndarje e tillë territoriale do të shërbente si bazë për një qeverisje vendore më pranë qytetarëve.
“Kjo është baza për një qeverisje vendore më pranë qytetarëve. Përvoja e viteve 2014 tregoi se bashkitë u bënë më të mëdha, por shërbimi jo. Ne kërkojmë vlerësim publik të reformës së kaluar para se të merret vendimi përfundimtar”, u shpreh ai.
Qosja propozoi gjithashtu një model territorial të diferencuar, ku numri i bashkive të përcaktohet në bazë të nevojave të komuniteteve.
“Ne propozojmë një model territorial të diferencuar, ku numri përcaktohet në bazë të nevojës. Duhet të rrisim numrin e bashkive dhe çdo kompetencë të shoqërohet me financim. Kërkojmë përfaqësim real të qytetarëve. Komunitetet e prekura duhen dëgjuar para ndryshimit të kufijve”, përfundoi kryebashkiaku i Kavajës.





