Të paktën 13 persona kanë humbur jetën pas një zjarri që përfshiu një fabrikë fishekzjarrësh në rajonin Yaroslavl të Rusisë.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve TASS, e cila citon shërbimet e emergjencës, zjarri shpërtheu në fabrikën që ndodhet në fshatin Kubrinsk, pranë qytetit Pereslavl-Zalessky.
Flakët përfshinë dhe shkatërruan dy ndërtesa të uzinës, ndërsa rreth 100 zjarrfikës u angazhuan për shuarjen e zjarrit dhe vënien e situatës nën kontroll.
Guvernatori i rajonit Yaroslavl, Mikhail Evrayev, konfirmoi përmasat e operacionit të emergjencës.
Ndërkohë, autoritetet ruse kanë nisur një hetim penal paraprak për shkelje të rregullave të sigurisë në uzinë.
Shkaqet e zjarrit dhe rrethanat që çuan në humbjen e jetëve vijojnë të hetohen.





