15.5 C
Tiranë
Saturday, September 21, 2024
spot_img

Mbështetësit e Berishës kërkojnë ndihmën e kryebashkiakëve socialistë për qendra votimi

Pas paralajmërimeve për zhvillimin e referendumit të shtunën të thirrur nga ish-Kryeministri, Sali Berisha, gjatë ditës së djeshme në të gjithë vendin situata ka qenë e qetë.

Në disa raste, mbështetësit e Berishës kanë denoncuar ndërrimin e bravave të dyerve të selive të Partisë Demokratike.

Në Durrës, janë rreth 2700 anëtarë të kësaj partie që janë ftuar të marrin pjesë në votimin e së shtunës, i konsideruar si një referendum për shkarkimin e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Votimi në qytetin e Durrësit do të bëhet në Pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu”.

Për t’u ardhur në ndihmë anëtarëve të PD-së në njësitë administrative të Sukthit, Manzës dhe Ishmit, krahas qendrës së votimit të Pallati i Kulturës, një qendër tjetër do të jetë në një subjekt privat pranë Bashkisë Sukth.

Ndërkohë, më shumë se 400 anëtarë të PD-së Shijak janë ftuar të shprehin vullnetin e tyre në qendrën e votimit që ndodhet në shtabin qendror të PD-së te “4 rrugët e Shijakut”. Nënkryetari i PD-së Durrës, Dritan Burgija, bën të ditur se mbi 2/3 e kryetarëve të grup seksioneve janë angazhuar për të garantuar mbarëvajtjen e procesit.

Në Kuvendin e datës 11 dhjetor, pjesa më e madhe e delegatëve të Durrësit ishin të pranishëm, mes të cilëve deputetë dhe ish-deputetë si Oerd Bylykbashi, Igli Cara, Fatbardha Kadiu, Gazmend Oketa, 3 nga nënkryetarët e degës Dritan Burgija, Arlind Boshku, Neritan Golja, krerët e departamenteve dhe grupseksioneve etj.

Ndërkohë, kanë shprehur mbështetjen e tyre publike për kreun e PD-së, Lulzim Basha, kryetari i komanduar Luan Hoti, nënkryetarët Pëllumb Berisha dhe Gaz Luku, deputeti Ferdinand Xhaferaj etj.

Në Bashkinë e Korçës, ka një qendër votimi, e cila është vendosur tek ish-Kinema Millenium. Anëtarësia e demokratike për Bashkinë e Korçës, përfshirë edhe atë të Pustecit, përbëhet nga rreth 3600 anëtarë.

Ndërkohë, në qytetin e Pogradecit, qendra e votimit është vendosur te Kinemaja e qytetit, ku do të votojnë rreth 900 anëtarë. Zona e Kolonjës do të ketë dy qendra votimi, përkatësisht një në Leskovik dhe një në Ersekë. Janë rreth 700 anëtarë të Partisë Demokratike në këtë zonë që kanë të drejtën e votës për referendumin e thirrur nga Sali Berisha.

Nga ana tjetër, Devolli ka tri qendra votimi, një në Qendrën Kulturore të Fëmijëve në qytet dhe dy të tjera në fshatrat Miras dhe Vranisht. Në listën e muajit korrik të këtij viti, kjo degë kishte rreth 998 anëtarë.

Bashkia e Maliqit, ka dy qendra votimi përkatësisht një në qytezë dhe një tjetër në fshatin Pojan, ku të drejtën e votës e kanë rreth 860 anëtarë.

Numri në total i anëtarëve në të gjithë qarkun e Korçës, është rreth 7058.

Deputeti Edmond Spaho tha se selitë nuk janë të përshtatshme për votimet, duke kërkuar ambiente me hapësira më të mëdha.

Në Qarkun e Gjirokastrës, anëtarët e Partisë Demokratike do të mund të votojnë në selitë përkatëse të partive.

DENONCIMET PËR BRAVAT

Në Vlorë, kreu i kësaj dege, Genc Deromemaj, ka ftuar rreth 1400 anëtarë të Partisë Demokratike të Vlorës, përfshirë edhe Selenicën dhe Himarës që të marrin pjesë në referendumin e thirrur për shkarkimin e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vendim i marrë nga mbështetësit e ish-Kryeministrit Sali Berisha më 11 dhjetor.

Në qytetin e Vlorës, qendra e votimit do të jetë pranë selisë së Partisë Demokratike, ndërkohë që dy qendra të tjera do të jenë në zonën e Selenicës dhe në atë të Himarës. Në qytetin e Sarandës, gjatë ditës së djeshme, mbështetësit e Berishës denoncuan mbylljen e selisë dhe për pasojë votimi i rreth 500 anëtarëve do të kryhet në një ambient privat.

Mbështetësit e Berishës kanë denoncuar në polici ndërrimin e bravës së derës.

Edhe në Shkodër, selitë e Partisë Demokratike janë mbyllur nga drejtuesit. Në këtë qark janë 9 qendra votimi, dy brenda qytetit dhe pjesa tjetër në bashkinë e Qarkut. Shkodra ka rreth 4 mijë anëtarë.

Nënkryetari i PD-së Shkodër Ndoc Ashta dënoi presionet sipas tij për të mos marrë pjesë në votim.

Ndërkohë që shoqata e ishtë përndjekurve politik të Shqipërisë me qendër në Shkodër deklaruan mbështetjen e plotë të kësaj shoqate për ish-kryeministrin Berisha.

Edhe në Elbasan, janë ndërruar bravat e dyerve të selisë së Partisë, por votimet do të kryhen në këto zyra. Bravat janë ndërruar edhe në Librazhd, Gramsh dhe Përrenjas.

Mbështetësit e Berishës kërkojnë ndihmën e kryebashkiakëve socialistë për qendra votimi

Kryetarët e degëve lokale në qarkun e Dibrës nuk i kanë lejuar organizatorët e referendumit të 18 korrikut të hyjnë në zyra e partisë së tyre.

Sipas të dhënave, ata kanë kërkuar nga Bashkitë Socialiste salla për zhvillimin e referendumit të kësaj të shtune për shkarkimin e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Drejtuesit e bashkive janë shprehur sipas burimeve, se kërkesat e tyre duhet të jenë të firmosura dhe të vulosura. Nismëtarët kanë pritur nga qendra shkresa të vulosura.

Në zonën e Burrelit dhe të Dibrës, anëtarët e Partisë Demokratike janë njoftuar që të shkojnë në Pallatet e Kulturës për të votuar.

Edhe në Partinë Demokratike të Fierit ka pasur denoncime për ndërrimin e bravave.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT