Një 30-vjeçar është gjetur i vrarë brenda një makine mbrëmjen e djeshme në zonën e Kodër-Kamzës, në Tiranë.
Kanë qenë kalimtarët e rastit ata që kanë lajmëruar Policinë për ngjarjen e dyshimtë. Burimet thanë se menjëherë është shkuar në adresën e dhënë dhe brenda makinës me targa gjermane, është gjetur pa shenja jetë 30- vjeçari Can Kariçi.
Të njëjtat burime thanë se i riu nga Dibra, me banim në Bathore, dyshohet të jetë qëlluar me 3 plumba, me një pistoletë me silenciator.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur rreth orës 20:00, por në Polici është raportuar pak minuta më vonë. Policia e Tiranës tha se menjëherë është ngritur grupi i posaçëm hetimor, duke ngritur edhe pistat e para.
Nga të dhënat paraprake dyshohet se bëhet fjalë për një vrasje të mirorganizuar, që mund të lidhet edhe me të shkuarën e viktimës.
Mësohet se, teksa ekspertët kryenin veprimet në vendin e ngjarjes, në zonën e Institutit është gjetur duke u djegur një automjet tip “Audi”, që dyshohet të jetë mjeti i përdorur nga autorët.
Duket se edhe ngjarja e mbrëmshme, është hallkë e një zinxhiri krimesh që po ndodhin si pasojë e përplasjes së “grupit të Laçit”, siç njihet tashmë nga Policia.
Vetë 30- vjeçari Kariçi kishte precedentë të mëparshëm penalë, i dënuar më parë për një plagosje të ndodhur në Tiranë në vitin 2018. Ndërsa së fundmi, ishte arrestuar në shkurt të këtij viti nga forcat speciale RENEA, por më vonë ishte lënë i lirë.
Një muaj më parë, në zonën e Astirit, u ekzekutua në një atentat mafioz, miku i tij, Erigers Mihasi, ngjarje ku mbeti i vrarë edhe Armando Dumani, që ndodhej në makinë me të.
NGA RENEA Më 26 shkurt të këtij viti, forcat speciale RENEA kryen kontrolle të befasishme në disa ambiente për kapjen e personave në kërkim, atyre që mbajnë armë zjarri dhe lëndë narkotike.
Policia e Lezhës ka dhënë informacion zyrtar për aksionin e zhvilluar në Milot, Kurbin e Lezhë nga Forcat Speciale RENEA, Forca e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, DVP Lezhë dhe Komisariati i Policisë Kurbin.
Gjatë kontrolleve sekuestrohet një armë zjarri pistoletë dhe targa të vjedhura që u përkisnin automjeteve të tjera që dyshohet se do të përdoreshin për të kryer ngjarje kriminale dhe është arrestuar 30-vjeçari Can Kariçi, poseduesi i armës së zjarrit dhe targave të vjedhura.
Gjithashtu, u shoqëruan për verifikim edhe 5 persona me precedentë të mëparshëm penalë.
“Në zbatim të planit të masave për mbajtjen nën kontroll të situatës kriminale, kapjen e personave në kërkim, atyre që qarkullojnë me armë zjarri apo lëndë narkotike, si dhe bazuar në informacionet e ardhura nga qytetarët në ‘Komisariatin Dixhital’, Forcat Speciale RENEA, Forca e Posaçme Operacionale në DPPSH, DVP Lezhë dhe Komisariati i Policisë Kurbin, ushtruan kontrolle të befasishme në disa lokale dhe ambiente në Milot, Kurbin e Lezhë.
Si rezultat i kontrolleve, në Fushë-Milot, në ambientet e jashtme të një kompleksi u gjet dhe u bllokua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë ‘GLOCK’, me një krehër me 14 fishekë, që i përkiste shtetasit Can Kariçi, 30 vjeç, të cilit gjatë kontrollit fizik në xhepin e xhupit iu gjet një krehër i markës ‘GLOCK’, me 16 fishekë të kalibrit 9 mm pa leje.
Gjithashtu, ky shtetas dyshohet se është autori i vjedhjes se targave të shpallura në kërkim nga DVP Shkodër të vjedhura më datë 19.09.2019, të cilat u gjetën brenda ambienteve rrethuese të objektit.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i 30-vjeçarit Can Kariçi, për veprat penale ‘Armëmbajtja pa leje’ dhe ‘Vjedhja’ dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme”, njoftonte zyrtarisht Policia në muajin shkurt.
Kariçi, mik i Erigers Mihasit që u vra në Astir
Më 13 nëntor të këtij viti, në zonën e Astirit u ekzekutua me armë zjarri Erigers Mihasi, i cili ishte miku i Can Kariçit që u vra mbrëmë në Kodër Kamzë. Edhe pse Kariçi duhej të ishte në burg, minimalisht për “armëmbajtje pa leje”, kur u arrestua në shkurt të këtij viti, në rrethana ende të paqarta ai lëvizte i lirë.
Madje lëvizte sërish i armatosu, pasi burimet thanë mbrëmë se në makinën ku ai u ekzekutua, u gjet edhe një pistoletë, që dyshohet të jetë e viktimës, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në kohën kur Kariçi u arrestua në Laç, Policia po kryente kontrolle edhe në lidhje me vrasjen e Shkëlzen Kastratit në Fier. Kjo ngjarje vuri në lëvizje Policinë dhe Prokurorinë për të identifikuar dhe arrestuar autorët e atentatit, duke i shtrirë verifikimet e kontrollet në disa qytete të vendit.
Në fund të muajit shkurt, forcat speciale RENEA zhvilluan kontrolle të befasishme në qytetin e Laçit, ku kërkimet u fokusuan në ambientet e një kompleksi. Sipas burimeve, në këtë kompleks janë gjetur sende të paligjshme, ndërsa Policia ka shoqëruar 7 persona dhe ka arrestuar një tjetër.
Mes të shoqëruarve ishte edhe pronari E.M. dhe miku i tij, pikërisht njëri nga viktimat e atentatit të nëntorit, Erigers Mihasi, i njohur për pjesëmarrje në disa ngjarje kriminale.
Ndërkohë, gjatë atyre kontrolleve në laç u arrestua Can Karriçi, të cilit iu gjet edhe një armë zjarri tip pistoletë.
Erigers Mihasi ka qenë një ndër personat e dyshuar për grabitje e prindërve të Elton Çiçës, ndërkohë që dyshohej si personi kryesor që ka qëlluar me armë zjarri ndaj kushërinjve Mumajesi në Tiranë.
Gjithashtu, ai dyshohet se ka marrë pjesë në një ngjarje tjetër kriminale në vitin 2017 në Laç, ku ka mbetur i plagosur Rudolf Toma, punonjës në Bashkinë e Kurbinit.