Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Finalizohet operacioni antidrogë i koduar “Koordinata”.
Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Vlorë dhe forcën e posaçme “Shqiponjat”.
Sekuestrohen 48 kg kanabis.
Vihet në pranga 52-vjeçari, poseduesi i lëndës narkotike dhe autori i dyshuar i tentativës për kultivimin e bimëve narkotike.
Në vijim të kontrollit masiv të territorit, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se në territorin e fshatit Kuç, një person posedonte në banesë lëndë narkotike, si dhe kishte kultivuar bimë narkotike, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Koordinata”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit:
H. K., 52 vjeç, banues në fshatin Kuç, Himarë.
Si rezultat i këtij operacioni, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit H. K., në fshatin Kuç, Himarë, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 48 kg lëndë të dyshuar cannabis sativa.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar përreth banesës së tij, shërbimet e Policisë evidentuan dhe asgjësuan disa bimë narkotike të cilat dyshohet se i ka kultivuar ky shtetas.
Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.