19.5 C
Tiranë
Saturday, September 21, 2024
spot_img

Presidenti Meta çmon me titullin “Mjeshtër i Madh” inxhinierin e njohur Fatmir Shehu

Presidenti i Republikës, Ilir Meta çmoi Profesor Doktor Fatmir Shehun me Titullin “Mjeshtër i Madh”: “Në vlerësim të meritave të jashtëzakonshme dhe kontributit të drejtpërdrejt në revolucionarizimin e teknologjisë së shpimit të puseve të naftës dhe gazit në vendin tonë, në vitet ‘80-të. Me mirënjohje për veprimtarinë e pasur shkencore, për promovimin e palodhur në përhapjen dhe aplikimin e dijes e të shkencës në industrinë tonë të naftës, si dhe për kontributin e madh të dhënë në formimin e brezave të inxhinierëve të rinj të vendit.”

Kreu i Shtetit tha se Industria e naftës dhe e gazit të marrë mbështetjen që meriton, nëpërmjet investimeve moderne, që garantojnë jo vetëm furnizimin por edhe zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë kombëtare.

MESAZHI I PRESIDENTIT META
Është kënaqësi që jemi së bashku, për të vlerësuar një inxhinier dhe profesor të nderuar, një personalitetit të shquar të shkencës shqiptare e të industrisë së naftës, Prof. Dr. Fatmir Shehu.

Profesor Shehu ka lindur në zonën e Fierit, ku shumë familje e kishin të lidhur punën dhe jetën me naftën dhe gazin. Kështu ndodhi edhe me të.

Vetëm 14 vjeç ai hyri në botën e naftës, përmes studimeve në shkollën e mesme ‘Teknikumi i Naftës’ Kuçovë, për të vazhduar dhe përfunduar më pas, Universitetin e Tiranës, Fakultetin Gjeologji-Miniera, si inxhinier i shpim-përpunimit të vendburimeve të naftës e gazit.

Si inxhinier i ri filloi punë në kantier, por brenda tij kishte pasionin e fortë për shkencën dhe studimet shkencore. Ky pasion solli emërimin e tij, në Institutin e Studimeve e Projektimeve të Naftës e Gazit, të krijuar në qershor të vitit 1965 në Kuçovë.

Fillimi i punës në këtë Institut, solli edhe fillimin e studimeve të thelluara dhe intensive të inxhinier Shehut në fushën e shkencës e teknologjisë së shpimit të puseve në vendin tonë, që deri në atë moment kishte mbetur në koncepte dhe me praktikë të prapambetur.

Studimet e vazhdueshme dhe të pandërprera të literaturës së huaj, si dhe studimet e shumta laboratorike, arritën të sjellin identifikimin nga ana e inxhinier Shehut të disa nga arsyet dhe vështirësive të shpimit në vendin tonë.

Përtej kësaj, më e rëndësishmja ishte përcaktimi apo gjetja e ‘kurës’ së duhur për zgjidhjen dhe kapërcimin e problematikave të shpim-kërkimit, në të gjitha vendburimet e naftës e të gazit të zbuluar dhe po ashtu, ulja e kostove dhe pa avari teknologjike e shpim-kërkimit të puseve të reja.

Inxhinier Shehu ka një meritë të jashtëzakonshme shkencore, me rreth 165 studime shkencore dhe laboratorike, në zbulimin e fenomeneve të reja e të panjohura të formacioneve me presione shumë të larta, si dhe zbulimit të metodave dhe mekanizmit teknologjik të kapërcimit të problematikës së tyre.

Ky zbulim bëri të mundur shpimin e puseve të shumta për gaz, në zona dikur të pakapërcyeshme dhe që kulmon me projektimin e teknologjisë së shpimit dhe të realizimit, në pusin me thellësi 6700 metra, në Ardenicë.

Kjo solli një sukses të jashtëzakonshëm për shkencën dhe teknologjinë tonë, duke e renditur ato ndër më bashkëkohoret, në krahasim edhe me vendet më të zhvilluara të naftës, në sektorin e shpimeve.

Aktiviteti dhe veprimtaria shkencore e botuese e Profesor Shehut ka qenë shumë e gjerë dhe e gjithanshme.

Ai ka qenë një promotor i palodhur i përhapjes dhe aplikimit të dijes e të shkencës në industrinë tonë të naftës, duke botuar me dhjetëra botime shkencore, duke udhëhequr shumë seminare kualifikimi e trajnimi për kolegët dhe profesionistët e shpimit, e duke formuar breza të tërë studentësh e inxhinierësh të shpimit, si pedagog në Fakultetin e Gjeologji-Miniera.

Edhe sot, ndërsa ka dalë në pension, profesor Fatmir Shehu vazhdon të japë kontributin e tij, si ekspert i konfirmuar, duke marrë përsipër e realizuar puset e para horizontale në vendin tonë.

Me këtë rast i uroj suksese të mëtejshme.
Shqipëria është një nga vendet me burime natyrore më të mëdha në Europë, sidomos në rezervat e naftës dhe gazit, një pasuri që duhet të kthehej në mirëqenie vendin dhe për çdo qytetar.

Në kontekstin e zhvillimeve të fundit është me shumë rëndësi që industria e naftës dhe e gazit të marrë mbështetjen që meriton, nëpërmjet investimeve moderne, që garantojnë jo vetëm furnizimin por edhe zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë kombëtare.
Zhvillimi, modernizimi dhe mbështetja e industrisë së naftës dhe gazit është interes kombëtar strategjik. Ndaj mbështetur mbi trashëgiminë dhe eksperiencën e personaliteteve si Prof.Dr. Fatmir Shehu të shumëfishojmë përpjekjet për t’i dhënë prioritet këtij sektori jetik për vendin.!

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT