Numri i përdoruesve të drogës në Kosovë është në trend të rritjes, ndërsa konsumues gjithnjë e më të shpeshtë po bëhen adoleshentët.
Samire Braina, udhëheqëse e Repartit të Psikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë se në pesë muajt e deritashëm të këtij viti, trajtim atje kanë kërkuar 60 përdorues drogash.
Në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kjo shifër ka qenë 43, ndërsa gjatë gjithë vitit 2021, trajtim kanë kërkuar 112 veta.
“Moshat [e përdoruesve] janë nga 18 vjeç e sipër, por kemi pasur raste edhe nën 18 vjeç, 15 apo 16 vjeç”, thotë Braina për Radion Evropa e Lirë.
Sipas saj, trajtimi i pacientëve që kanë varësi nga substancat narkotike, është afatgjatë dhe i vështirë.
Në Kosovë, aktualisht, nuk ka ndonjë qendër rehabilituese afatgjate, që do të ishte nën ombrellën e institucioneve shëndetësore të shtetit.
Braina thotë se, në shumicën e rasteve, të varurit nga droga orientohen për rehabilitim afatgjatë në qendra jashtë Kosovës.
Dy punëtorë shëndetësorë shihen në korridorin e një prej klinikave në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Fotografi ilustruese. Adresë për ta nganjëherë është edhe Qendra Mediko-Psikoterapeutike Labirint – një organizatë jofitimprurëse me seli në Prishtinë.
Kjo qendër ofron programe ditore, nga mbështetja psiko-sociale deri te terapitë grupore.
Sipas të dhënave të saj, janë 5,000 – 6,000 përdorues të varur drogash në Kosovë, që kanë probleme me sjelljen dhe rrethin, ndërsa numri i përgjithshëm i përdoruesve kalon 30,000 për herë të parë.
Mosha mesatare e personave kur nisin të përdorin narkotikë, është rreth 16 vjeç, kurse llojet e drogave që konsumohen, variojnë nga marihuana deri te kokaina.
Udhëheqësit e Labirintit thonë se në qendrën e tyre, aktualisht, janë të regjistruar 2,672 persona, ndërsa në fund të vitit të kaluar kanë qenë 2,420.
Ata theksojnë se jo të gjithë personat që kërkojnë trajtim aty, pranojnë të regjistrohen.
“Për ne është shqetësuese rritja e shpejtë e përdorimit të kokainës në Kosovë”, thotë drejtori i Qendrës Labirinti, defektologu Safet Blakaj.
Sipas tij, faktorët që i shtyjnë të rinjtë të marrin drogë, janë: dëshira për t’i takuar grupit, kureshtja dhe qasja e lehtë në substanca të tilla.
“Më vjen keq për ditën kur e kam provuar”
B.S. ka nisur të drogohet 25 vjet më parë. Sot, në mesin e të 40-ave, ai thotë se është penduar dhe se ka nisur trajtimin për t’u shëruar nga varësia.
“Nuk e mbaj në mend se kush ma ka ofruar marihuanën për herë të parë. Por, sot më vjen keq për ditën kur e kam provuar. Sikur ta kisha kthyer atë ditë dhe të kisha thënë: jo, nuk e dua”, rrëfen B.S., emri i plotë i të cilit është i njohur për redaksinë e REL-it.
Ai është baba i dy fëmijëve, por thotë se është divorcuar nga bashkëshortja, rreth një vit më parë.
“Fëmijët e mi nuk e dinë [që unë marr drogë], jetojnë me bashkëshorten. Iu themi se babai nuk është mirë, por kur të shërohet, do të kthehet”, thotë ai.
B.S. thotë se ka qenë një periudhë disavjeçare, kur nuk ka përdorur drogë, por duke qenë i përballur me disa probleme, siç rrëfen ai, ka rinisur sërish të drogohet.
“Lotët po më dalin. Është problem të dalësh nga kjo [situatë]”, thotë B.S., duke iu bërë thirrje të rinjve që të rrinë larg këtyre substancave.