Në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave ka raportuar sot kreu i KLSH-së Arben Shehu, i cili deklaroi se institucioni që ai drejton ka bërë referimin e të gjitha shkeljeve penale të konstatuara në prokurori.
Sipas tij organi akuzës po vijon hetimin në bazë të provave të dërguara dhe rezultatet pritet të jepen së shpejti. Kreu i KLSH u shpreh se duhet të ketë një koordinim më të madh të institucionit për të shmangur dëmet në buxhetin e shtetit.
Në raportin vjetor të KLSH dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit përllogaritet në 19 miliardë lekë dhe në prokurori janë referuar 300 kallëzime penale për këto shkelje.
“Në lidhje me pyetjen për kallëzimet penale, dua të parashtroj se detyra e KLSH në rastin e konstatimeve të kryerjes së veprave penale është t’i referojë ato mbi bazën e provave të plota në Prokurorinë e Posaçme apo në prokuroritë e rretheve.
Dua t’ju kujtoj se nevojitet një kohë e plotë dhe nga ana e prokurorisë për konkludimet e rasteve konkrete. Siç thashë ato raste janë të bazuara në prova konkrete dhe jo në dyshime. Jam i bindur se prokuroria po kryen në mënyrë shteruese detyrën që i ngarkon ligji dhe jam i bindur se rezultatet do të jenë frytdhënëse për të gjitha institucionet shqiptare dhe për shoqërinë shqiptare.
Ne i kemi dhënë rëndësinë e duhur përgatitjen e kallëzimeve penale në ato raste që kemi të bëjmë me veprat penale. Por më i rëndësishëm është parandalimi i kryerjes së veprës penale. Puna e të gjitha institucioneve duhet të koordinohet për të parandaluar dëmet në buxhetin e shtetit. Për më tepër duhet të fokusohemi në parandalim, pasi mendoj se është e rëndësishme të bëhet parandalimi i veprave penale se sa të bëhet përllogaritja e dëmit që e paguan taksapaguesi shqiptar.
Mendoj që puna kryesore për të gjithë do të duhet të ishte koordinimi për parandalimin. Kemi pasur një lloj transparence në lidhje me publikimet, në lidhje për vënien në dispozicion të çdo akti kundrejt individëve që e kërkojnë apo mediave.
Jemi rast pas rasti në një kohë shumë të shpejt të gatshëm t’i vendosim në dispozicion çdo qytetari, çdo akt që është i interesuar.
Parandalimi është më i shëndetshëm për shoqërinë shqiptare se ndëshkimi. Mendoj që ndëshkimi duhet të vijë në një temp në ulje në vazhdimësi. Me këtë nuk dua të them që ne do të heqim dorë nga detyrimi që ne kemi për të pasqyruar me kallëzime pasqyrimi i veprave penale. Por mendoj se parandalimi është i rëndësishëm për ato argumenta që parashtrova”, tha Shehu.