15.5 C
Tiranë
Thursday, November 28, 2024
spot_img

Eksperti amerikan: “Putini nuk fiton në Ballkan vetëm nëse ka luftë të re, por nga mungesa e stabilitetin në këtë rajon”

Në mënyrë indirekte pushtimi rus në Ukrainë paraqet kërcënim edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Edward Joseph, ligjërues në Universitetin për Studime të avancuara Ndërkombëtare “John Hopkins”, dhe njohës i zhvillimeve në Ballkan.

“Është kërcënues (pushtimi rus ndaj Ukrainës) në mënyrë indirekte. Shumë njerëz janë të brengosur, sidomos në Bosnjë, nga një luftë e befasishme. Nuk mund ta përjashtoni atë. Nuk mund të thoni se nuk do të ndodhë. Ose, se aspak nuk do të ndodhë ndonjë konflikt në Kosovë. Kështu që, mundet të ndodhë”.

“Madje, ndikimi rus dhe objektivat ruse janë të përmbushura edhe pa luftë. Putini nuk fiton në Ballkan vetëm nëse ka luftë të re. Jo, Putini fiton me këtë ‘status quo’. Putini fiton duke ruajtur mungesën e stabilitetin në këtë rajon”, thotë Edward Joseph, duke nënvizuar se për presidentin rus, Vladimir Putin, paraqet fitore dhe bllokimi i procesit të integrimeve siç thotë në “kushte kur ky proces nuk shkon përpara, por lëviz prapa”.

“Putini thotë shikoni, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës as që mund ta rregullojnë këtë kaos. Njerëzit humbin interesim. E kam patjetër të potencoj edhe këtë se Vladimir Putini fiton kur aleatët e tij si Aleksandar Vuçiç dhe Rumen Radev fitojnë. Kështu që, kur ata janë të fuqishëm, atëherë ai është fitues”.

 

“Serbia është vendi i vetëm në Evropë që ende nuk i ka vënë sanksione Rusisë. Kjo paraqet fitore për të. Air Serbia fluturon për në Moskë. Kjo, gjithashtu, është dhe një fitore. Putini duhet të jetë i izoluar, ndërsa Serbia nuk e izolon. Ministri i Punëve të Jashtme do të takohet me Lavrovin…. Kështu që kjo është edhe një mënyrë se si fiton Putini”, vlerëson Joseph, njohës i zhvillimeve në Ballkan.

 

I pyetur rreth injorimit nga ana e Serbisë ndaj kërkesave të BE-së dhe SHBA-së që ta harmonizojë politikën e saj të jashtme me politikën perëndimore dhe të zbatojë sanksione ndaj Rusisë, Joseph thotë:

“Mendimi im është se është plotësisht e qëndrueshme për Aleksandar Vuçiçin që të mbrojë këtë pozicion. E para, e shikoni se sa muaj e ka këtë pozicion ai [Vuçiçi]. A shikoni ndonjë aksion, reaksion? Jo. A e shihni se është rritur vetëbesimi në Beograd? Po”.

“Ai [Vuçiçi] me Putinin nënshkroi kontratë furnizimi me gaz për tre vjet. Ai sërish e vazhdon raportin e varshmërisë me Putinin duke u shtirur se është i interesuar për anëtarësim në BE, megjithëse për 10 vjet nuk ka bërë pothuajse asgjë për anëtarësim në BE. Këtë manipulim do ta quaja sharadë [nga frëngjishtja charade-maskaradë, lojë]. Kjo sharadë vazhdon dhe Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk bëjnë asgjë për një shkak – për shkak të Kosovës dhe përparësisë që ka Beogradi ndaj Kosovës, për shkak se Bashkimi Evropian është i ndarë për sa i përket Kosovës”.

Joseph thekson se ndikimi rus paraqet kërcënim për eurointegrimet e Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të rajonit, duke nënvizuar se çështja e nacionalizmit ekstrem në Bullgari si refleksion ia përkujton, siç shprehet, atë çka bën Rusia në Ukrainë.

“Mendoni se si Rusia dhe veçmas Putini e quan Ukrainën ‘vend artificial’. Qëndrimi i tij (kundrejt Ukrainës) është se ne jemi shumë më të fortë, ndërsa ju jeni më pak të fuqishëm. Ju jeni vend artificial. Ju në të vërtetë jeni rusë në njëfarë mënyre. Identiteti juaj nuk ekziston, ai është artificial”.

“Kemi qasje të njëjtë nga Bullgaria, jo me forcë, por gjithsesi duke shfrytëzuar ndikimin e saj. Bullgaria e eksploaton ndikimin e saj si vend anëtar i BE-së që të thotë se në esencë ju (Maqedonia e Veriut) jeni vend artificial, dhe ju jeni vetëm krijesë artificiale jugosllave, ndërkohë që gjuha dhe historia juaj është e bazuar në identitetin tonë bullgar dhe ne jemi me më ndikim se ju. Pra, ku është dallimi këtu? Qasja është e njëjtë, vetëm taktika është e ndryshme”, vlerëson Edward Joseph. /REL

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT