13.5 C
Tiranë
Friday, November 29, 2024
spot_img

“Kur policia përveç njeriut ekzekuton edhe të vërtetën”, Dervishi flet për vrasjen e të riut në komisariat

Nga Lutfi Dervishi:

Kur policia përveç njeriut ekzekuton edhe të vërtetën
Nuk është hera e parë dhe mjerisht as e fundit që policia tenton që në një ngjarje të rëndë të kryejë njëherësh disa vepra penale:
1. Dhunimin e sekretit hetimor.
2. Veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës
3. Mashtrimi
4. Pengimi i drejtësisë
Me veprimet e saj policia kryen edhe një vepër tjetër të rëndë, që nuk parashikohet në kodin penal. Dhunimin e besimit të publikut
Në vrasjen e të riut Klodian Rasha, komunikata e parë e policisë fajëson viktimën dhe sajon gjëra të përbindshme. Asnjë analizë asnjë masë për tentativën për të vrarë edhe të vërtetën. Në ngjarjen e rëndë të Elbasanit disa ditë para zgjedhjeve, ish drejtori i përgjithshëm i policisë gënjen publikisht për ngjarjen. Masa e vetme e marrë është promovimi politik në fillim i prokurorit dhe më pas edhe ish drejtorit të përgjithshëm të policisë.
Edhe në ngjarjen e sotme, varianti i parë zyrtar, për ngjarjen që çoi në humbjen e jetës së një 32 vjecari, ndryshon nga varianti i dytë, i dyti ndryshon nga i treti dhe varianti përfundimtar…do të dalë, por më vonë në sallën e gjyqit.
Në rastet e rënda, të përsëritura tentativa e parë e policisë është përdhosja e viktimës.
Disa pyetje të thjeshta për ngjarjen e bërë publik sot ku humbi jetën një 32 vjeçar:
Ku janë kamerat e trupit të punonjësve të policisë?
Ku janë kamerat në komisariat?
Cila është baza ligjore e “verfikimit të identitetit?
Pse u prangos i ndaluari?
A ka komunikim të patrullës me sallën operative?
Nëse po, kur ka nisur dhe kur ka mbaruar komunikimi?
A është regjistruar biseda?
Nëse është e vërtetë që i riu ka gëlltitur qesen, pas sa kohe nga gëlltitja ka dhënë shenjat e përkeqësimit?
Pse u ndryshua versioni nga sëmundje zemre në epilepsi e më pas te “gëlltitja e qeses”?
Overdoza i jep pasojat pas 2 orësh dhe jo pas 7 minutash apo jo?
A ka patur avokat të familjes apo kryesisht gjatë autopsisë së viktimës?
Kush e ka marrë vendimin për kryerjen e autopsisë?
A është marrë miratimi i familjes për autopsinë?
A është filmuar autopsia?
A është njoftuar prokuroria dhe kur?
A është bërë kqyrja e kufomës? A ka dëmtime, hematoma, të jashtme?
A janë parë kamerat e zonës për veprimet e personit dhe të patrullës?
Pse policia thotë se “e dërguam të gjallë, ndërsa spitali thotë: mbërriti i vdekur?
Sa herë ka ngjarje të rëndë me viktima ku përfshihet policia viktima e radhës është e vërteta. Ndoshta është koha që komunikatat për ngjarjet e rënda t’i hartojë prokuroria ndërsa atyre që kanë hartuar deri më tani komunikatat e policisë u duhet kujtuar një thënie nga Buda. “Tri gjëra nuk mund të mbash fshehur për një kohë të gjatë. Diellin, Hënën dhe të vërtetën.
E vërteta për ngjarjen e Klodian Rashës, pavarësisht mashtrimit të policisë u mor vesh brenda 24 orësh, e vërteta për ngjarjen e rëndë të Elbasanit u mor vesh pas 48 orësh në sallën e gjyqit. E vërteta për ngjarjen e bërë publik sot do të merret vesh nesër.
Dita e parë e ngjarjes është 1 prilli i policisë.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT