26.5 C
Tiranë
Monday, September 23, 2024
spot_img

Qeveria po dështon me kontratat e PPP, proçesi i monitorimit të tyre shumë i ngadaltë

Aktualisht janë në zbatim rreth 228 kontrata koncesionare në të gjithë sektorët, por sakaq qeveria ka pranuar se nuk ka aftësi për të kontrolluar zbatimin e tyre.

Para pak ditësh Ministria e Financave publikoi Raportin e Monitorimit të Koncesioneve (detyrim ligjor) por nga 228 kontratat PPP arriti të raportojë ecurinë për vetëm 65 kontrata. Edhe për të 65 kontratat raportimi ishte i mangët.

Ministria e Financave nuk raportoi situacionet e punimeve sipas pagesave të dhëna nga buxheti i shtetit për kontratat në sektorin e transportit (rrugët) dhe inceneratorët, teksa elementë të tjerë të rëndësishëm të kontratave mbetën tërësisht të paprekur.

“Për vitin 2021 në Republikën e Shqipërisë rezultojnë 228 kontrata koncesioni/PPP të nënshkruara. Në bazë të raportimeve të bëra deri tani nga Autoritetet Kontraktuese në këtë raport janë përshkruar 65 Kontrata Koncesioni/PPP, të cilat përfshihen në sektorin e Transportit, Energjisë, Zhvillimit Urban, Zhvillimit Ekonomik, Kontrollit Fiskal, Mjedisit dhe Shëndetësisë” .

Raporti ka monitoruar formalisht vetëm 28 për qind të kontratave, teksa Ministria e Financave në përmbledhjen e raportit la të kuptojë se procesi i monitorimit ka dobësi duke dhënë edhe argumentet përkatëse .

“Duke qenë se procesi i monitorimit është ende në fillimet e tij, numri dhe kompleksiteti i kontratave të koncesionit/PPP në Shqipërisë është i lartë, si dhe jo çdo kontratë ka një Njësi Zbatimi Projekti përgjegjëse për monitorimin e saj, mbledhja e informacionit ka hasur vazhdimisht vështirësi dhe për rrjedhojë ky raport do të përcjellë informacion për 65 kontrata koncesioni/PPP” sqaroi Ministria e Financave.

Më tej financat sqaruan se në mënyrë të vazhdueshme dhe këmbëngulëse i kanë kërkuar Autoriteteve Kontraktuese angazhim dhe përgjegjshmëri maksimale me qëllim sigurimin e një procesi monitorimi sa më efektiv, gjithëpërfshirës dhe transparent, në përputhje me përcaktimet e ligjit “Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat”, i ndryshuar.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë gjatë vitit 2021 ka dhënë rekomandime për Autoritetet Kontraktuese me qëllim marrjen e masave nga ana e tyre për përmirësimin e performancës në ofrimin e shërbimeve dhe punëve publike, objekt i kontratave të koncesionit fushë e tyre e përgjegjësisë, si dhe për minimizimin apo eliminimin e risqeve të drejtpërdrejta e të tërthorta që ndikojnë në buxhetin e shtetit.

Gjithashtu, i është kërkuar çdo Autoriteti Kontraktues që të ngrejë struktura monitoruese për çdo kontratë koncesioni edhe kur kontrata specifike nuk e përcakton nje strukturë të tillë, me qëllim që informacioni i raportuar pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të jetë i plotë, gjithëpërfshirës dhe në përputhje me përcaktimet ligjore.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT