26.5 C
Tiranë
Sunday, September 22, 2024
spot_img

BIRN: Si u kthye Tirana në kryeqytetin e skemave mashtruese të investimeve

Kompanitë e ‘call center’-ave të lidhura me një ish-zyrtar të lartë politik shqiptar u bënë shtylla operative e një rrjeti kriminal ndërkombëtar, i cili mashtroi gjatë pesë viteve qindramijëra viktima në të gjithë Evropën, duke u zhvatuar miliarda euro.

Më 14 nëntor 2018, një grua u paraqit në stacionin e policisë “Mossos d’Esquadra” në qytezën e Puigcerdas në rajonin e Katalunjës në veri të Spanjës, për të bërë një denoncim kundër një kompanie investimesh në bursë, pasi kishte rënë pre e mashtrimit.

Merce Puig Ribot i tha hetuesve se një investim fillestar prej 250 eurosh nëpërmjet kompanisë ‘Universe Markets’ ishte fryrë në një humbje, që i kishte kushtuar më shumë se 560 mijë euro.

Katër vjet më vonë, në 22 prill 2022, Ribot u shfaq përsëri para hetuesve duke deklaruar se kishte humbur edhe 291 mijë euro të tjera, pasi ishte kontaktuar nga një studio e pretenduar ligjore, e cila ishte në dijeni të mashtrimit të parë dhe kishte premtuar që t’i rikuperonte paratë.

“E gjithë kjo është pjesë e të njëjtit mashtrim të kryer nga e njëjta organizatë,” shkruajnë hetuesit në dosjen hetimore të siguruar nga BIRN.

Nëpërmjet gjurmimit të rrjeteve kompjuterike, hetuesit spanjollë arritën t’i gjeolokonin adresat e protokollit të internetit (IP) nga ku funksiononte platforma ‘universe-markets.com’ në Shqipëri, Ukrainë dhe Serbi.

Ata gjithashtu zbuluan një duzinë platformash mashtruese të ngjashme – të krijuara nga një organizatë kriminale ndërkombëtare e njohur si ‘Milton Group’, e cila përdorte qendra thirrjesh [call centers] dhe operatorë në Shqipëri, Bullgari, Gjeorgji, Maqedoni të Veriut dhe Ukrainë.

Sipas Eurojust, organizata kriminale ka mashtruar qindramijëra viktima prej vitit 2018, duke siguruar të ardhura me vlerë 50 milionë euro çdo tremujor.

Me 8 dhe 9 nëntor 2022, në bashkëpunim me Eurojust dhe Europol, Struktura e Poscaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK bastisi 6 qendra thirrjesh telefonike në Shqipëri të lidhura me ‘Milton Group’ dhe arrestoi 4 të dyshuar.

Këto qendra janë në pronësi të tre kompanive të lidhura me biznesmenin Amant Josifi, një ish-këshilltar politik i ministres së Jashtme, Olta Xhaçka gjatë kohë që ajo drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes, dhe ish-partner biznesi i vëllait të kryeministrit shqiptar, Olsi Rama.

Josifi nuk ishte mes të arrestuarve nga operacioni policor, edhe pse është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritet spanjolle. Ai nuk ishte i arritshëm për koment. Znj. Xhaçka ia referoi pyetjet për rekrutimin e tij Ministrisë së Mbrojtjes, ndërkohë që Olsi Rama nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga BIRN.

Ministria e Mbrojtjes i tha BIRN se Josifi kishte shërbyer si këshilltar nga muaji dhjetor 2018 deri në maj 2020.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT