Berisha tha sot në një konferencë për mediat se nuk ka shanse që ai të tërhiqet. Ish-Kryeministri thotë se zgjedhjet janë manipuluar, pasi sipas tij është bërë presion, janë blerë komisionerë, janë intimiduar zgjedhësit, si edhe janë hedhur dhjetëra milionë euro për të blerë votat.
“Kurrë nuk tërhiqem para bandave të krimit shtetëror dhe jo shtetëror. Shkodra është shembulli më i shëmtuar në të cilën u votua si në rrethim nga banda të Edi Ramës”, tha Berisha.
Madje Berisha e futi ndër faktorët kryesorë të humbjes së tij faktin që emri i tij nuk ishte në fletën e votimit, por ishte ai i Ilir Metës. Nuk dihet se sa i ‘lumtur’ do të jetë Meta për këtë qëndrim të aleatit të tij.
“Ajo jo vetëm i konfiskoi vulën jo vetëm e privoi nga të gjitha fondet që i takonin me ligj dhe kushtetutë por kaloi në aktin më absurd të mohimit të aktit të koalicionit për të zgjedhur kryetarin e vetë dhe i tmerruar nga emri i Sali Berishës nuk lejoi regjistrimin e tij”, u shpreh Berisha.
Rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit, ish-kryeministri e quan farsën elektorale më të shëmtuar. Sipas tij, shqiptarët kanë votuar nën presion dje jo të lirë. Ai madje tha se ka prova që kryeministri Edi Rama ka ndërhyrë në rezultatin e zgjedhjeve, duke justifikuar kështu humbjen e tij drastike me aludimet se rezultati është ndryshuar nga vetë Rama.
“Farsa zgjedhore 2023 si farsa elektorale më e shëmtuar e Shqipërisë dhe Europës po kundërmon çdo ditë e më shumë. Me këtë rast unë vlerësoj raportin e OSBE-ODHIR të autoriteteve lokale rajonale dhe deklaratën e përfaqësues të Parlamentit Europian të cilët dëshmuan se zgjedhësit shqiptarë votuan nën presion dhe jo të lirë. Kjo është kryefjala e këtyre zgjedhjeve, ku me presione të të gjitha llojeve Edi Rama ndryshoi në mënyrë antikushtetuese, antiligjore vullnetin e shqiptarëve, ndryshoi rezultatin e votimit.
Raporti paraprak, ndonëse është paraprak dhe jo përfundimtar vë gishtin në problemet më madhore të këtyre zgjedhjeve duke filluar nga makineria shtetërore elektorale, si një përbindësh shkatërrimtar i procesit zgjedhor, si një akt që përmbys pabarazinë më të madhe në procesin zgjedhor, ndalet në të gjitha format anti-ligjore të ndërhyrjes në vullnetin e shqiptarëve nga qeveria, nënvizon blerjen masive të votës, gjer edhe presionet e tjera të administratës mafioze, më e pranishme se kurrë në qendrat e votimit dhe procesin e votimit. Përpjekjet për të shkëputur ndonjë gjysme frazë nga përfaqësuesit më të nderuar të institucioneve prestigjioze në BE, OSB-ODHIR dhe Parlamentit Europian, siç e patë vetë ata refuzuan të nxjerrin nga goja çdo cilësor që iu kërkua nga mediat e Ramës për ta tundur si flamur të këtyre zgjedhjeve më të manipuluarat, më të rrënuarat ndonjëherë në historinë e Shqipërisë”, tha ai.
Ai tha se Rithemelimi do të paraqesë një raport me shkeljet që janë bërë në këto zgjedhje, ndërsa në fund theksoi se do pas këtyre zgjedhjeve do të votëbesohet siç e parashikon statuti.