Edhe pse është ekzekutuar 3 vjet më parë në ambientet e biznesit të tij bashkë me një mikun e tij, pasuria e biznesmenit Paulin Gjergji kërkohet të vihen në sekuestro.
Kërkesën e ka bërë Prokuroria e Tiranës, ndërkohë që në njoftimin e saj bëhet me dije se emri me të cilin është hetuar pasuria e biznesmenit të vrarë është Ndue Gjergji. Në fakt, bëhet fjalë për Paulin Gjergjin, që njihej edhe me mbiemrin Markaj, por që në njoftim prokuroria i atribuohet shtetasit Ndue Gjergji. Në shënjestër janë disa pasuri që kapin diku vlerën e 20 milion eurove, ndërkohë që hetimet për të kanë nisur dy vjet para se sa Gjergji të vritej.
Prokuroria e Përgjithshme
Dyshime se rrjedhin nga veprimtaria kriminale, Prokuroria Tiranë kërkon sekuestrimin e pasurive të shtetasit N.Gj. dhe familjarëve të tij me vlerë 20 milionë euro. Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kërkon sekuestrimin e pasurisë së shtetasit N. Gj. dhe familjarëve të tij për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.
më pas procedimi pasuror nr. 03 nga ana e Seksionit për Pastrimin e Parave pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, është grumbulluar informacion për një rast të dyshimtë për “Pastrim të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” për shtetasin N. Gj.
Ky shtetas, është pjesë e një grupi kriminal i cili fushë kryesore të aktivitetit të tij kriminal ka veprën penale “Trafikimit të lëndëve narkotike” të parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal. Paraprakisht, janë identifikuar pasuritë të cilat dyshohet se nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike dhe dyshohet se lidhen dhe rrjedhin nga veprimtaria kriminale që ka kryer shtetasi N. Gj.
Nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar, për sa i përket pasurive të shtetasit N.GJ., dhe familjarëve të tij, rezulton se kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se pasuritë e paluajtshme t’i kenë fituar si rezultat i veprimtarisë kriminale të shtetasit N. Gj. Për këto arsye, Prokuroria kërkoi sekuestrimin e 31 pasurive, të cilat në total kanë një vlerë transaksioni 6 milionë euro por që në vlerë tregu përllogariten në 20 milionë euro.
Hetimet ndaj Paulin Gjergjit
Hetimi ndaj Paulin Markajt/Gjergjit u tha se ishte filluar më parë prej ish-Prokurorisë për Krime të Rënda, e cila në vitin 2018 e ka përcjellë në Prokurorinë e Tiranës për kompetencë për “pastrim të produkteve të veprës penale”.
Nga verifikimet ka rezultuar se Markaj është hetuar për trafik droge në Itali, ku është ndaluar një herë në vitin 1999 dhe më pas rezulton të ketë dalë nga burgu në 2011-n. Paulin Markaj u ekzekutua në qershor të 2020 së bashku me një biznesmen tjetër nga një grup autorësh që ishin maskuar me uniforma policie.
Ligji “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i quajtur ndryshe si ligji “Antimafia”, parashikon se “masat parandaluese mund të kërkohen dhe ndaj trashëgimtarëve të personit, subjekt i zbatimit të këtij ligji, por, në çdo rast, jo më vonë se 5 vjet nga data e vdekjes”, thekson “Birn”. Ndue Gjergji, sipas Prokurorisë ka pasur si emër të mëparshëm identitetin Paulin Markaj identifikuar nga “Interpol” Holanda si i hetuar për pastrim parash.
Ky shtetas, thotë Akuza e kryeqytetit, është i njohur për krime që lidhen me drogën. Më 2011, shtetasi Paulin Markaj ka dalë nga burgu ku ka qenë i arrestuar për drogë dhe është dëbuar nga Italia. Më tej besohet se ai u kthye në Shqipëri ku dhe investoi në 31 asete pasurore. Më 30 maj 2020, në Kurbin, Markaj thënë ndryshe edhe me identitetin Paulin Gjergji u vra në një atentat të dyfishtë teksa së bashku me të u vra edhe Bujar Lika, si dhe u plagos Kreshnik Tusha.