11.5 C
Tiranë
Saturday, November 30, 2024
spot_img

Çështja e Belerit/ BIRN : Kjo mund të pengojë integrimin e Shqipërisë

Fredi Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, duke u bërë i vetmi kandidat në Shqipëri që zgjidhej në një post publik ndërsa ishte në qeli. Prokuroria e akuzon Belerin për “korrupsion aktiv në zgjedhje”, duke pretenduar se ka provuar tej çdo dyshimi se ai i kishte ofruar një bashkëpunëtori të policisë 50 euro për çdo votë që mund të gjente në favor të tij si kryetar i Bashkisë së Himarës.

Beleri dhe opozita e kundërshtuan arrestimin si të motivuar politikisht. Ky qëndrim u mbështet edhe nga Athina zyrtare, e cila kërkoi lirimin e tij, ndërsa kryeministri Edi Rama e vlerësuar rastin si një çështje të drejtësisë.

Pas humbjes së mundësisë për t’u betuar për të marrë zyrtarisht mandatin e kryebashkiakut, çështja “Beleri” i kaloi caqet e politikës së brendshme dhe u kthye në një problem për marrëdhëniet dypalëshe me Greqinë dhe një pengesë të mundshme për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

Beleri, 51 vjeç, lindi në Himarë në një familje fermerësh. Ai studioi marrëdhënie ndërkombëtare në Athinë dhe punoi si hidraulik, duke krijuar kompaninë e tij. Në vitin 1990 u vendos në Zakynthos dhe në vitin 1994 u transferua në Athinë. Ai u rikthye përgjithmonë në Himarë në vitin 2015, ku është aktiv në turizëm. Po atë vit, ai zgjidhet nënkryetar i Këshillit të Përgjithshëm të D.E.E.M. OMONIA – Bashkimi Demokratik i Pakicës Kombëtare Greke në Shqipëri.

Në zgjedhjet lokale të majit, Beleri kandidoi sërish për bashkinë e Himarës, i mbështetur nga një parti e minoritetit grek, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, PBDNJ, pjesë e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

Në një protestë të zhvilluar në Himarë më 14 gusht, në prag të skadimit të afatit 3-mujor të betimit, kryebashkiakët e Athinës dhe Selanikut paralajmëruan qeverinë shqiptare për pasojat në rrugëtimin evropian.

Edhe nënkryetari grek i Komisionit Evropian për Promovimin e Mënyrës Evropiane të Jetesës, Margaritis Schinas, në një letër më 19 korrik drejtuar Olivér Várhelyi, komisionerit të BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin e vuri theksin te vlerat europiane që lidhen me “demokracinë, drejtësinë, të drejtën për të votuar dhe për t’u zgjedhur”.

Ekspertët e çështjeve të integrimit i shohin këto paralajmërime si reale dhe konfliktin e deklaratave Tiranë-Athinë, si një problem më shumë se dypalësh.

Paralajmërimet janë reale, e për fat të keq në vitet e fundit, kemi parë shpesh bllokime të procesit për shkak të mosmarrëveshjeve apo çështjeve bilaterale, që s’kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me antarësimin në BE,” i tha BIRN Gledis Gjipali, drejtor ekzekutiv i “European Movement Albania”.

Shembulli më i afërt sipas Gjipalit, është Maqedonia e Veriut, e cila u bllokua për vite të tëra nga Greqia dhe më pas nga Bullgaria.

Ky është shembulli më ekstrem i pasojave negative të ardhura nga mosmarëveshjet me një vend anëtar të BE-së,” shton ai.

Gjipali shtoi gjithashtu se ndonëse BE është e lodhur nga vetot apo bllokimet e njëanshme të procesit të integrimit, nuk ka instrumente ligjore për ta anashkaluar një pengesë të tillë.

Edhe Gjergji Vurmo, drejtor programesh në Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim, thotë se avancimi i integrimit të Shqipërisë kërkon që vendi të mos këtë probleme bilaterale të hapura me vende anëtare të BE-së.

Për më tepër, Shqipëria e ka tashmë një çështje të hapur me Greqinë për kufirin detar, por sipas Vurmos, të dyja palët kanë treguar maturi për ta adresuar atë pa cenuar procesin e integrimit.

Rasti i Belerit duket i ndryshëm.

Vurmo ngre pikëpyetje në vullnetin e qeverisë shqiptare për ndërtimin e shtetit ligjor si një objektiv për integrimin, duke e lidhur me standardet e ndryshme të policisë në ndjekjen e rastit të Belerit dhe ndjekjen e krimeve të tjera zgjedhore, të tilla si e ashtuquajtura dosja 339.

“Pa dashur të paragjykoj provat e siguruara në rastin Beleri, fakti që policia heton në mënyrë proaktive në Himarë dhe mbyll sytë para krimeve zgjedhore në zonat e tjera të vendit, duket se i dobëson disi pozitat e argumentit se kjo ‘është çështje e drejtësisë,” tha Vurmo.

“Edhe më shumë shtohen dyshimet për përdorim politik të një organizate policore, e cila tashmë është provuar se i ka shërbyer me infrastrukturën e vet madje edhe krimit te organizuar, siç rezulton nga bisedat e dekriptuara të aplikacionit SKY,” shtoi ai.

Vurmo e sheh problemin tek përballja e e qeverisë shqiptare me realitetin, sesa te “heshtja” e Greqisë apo ndonjë vendi tjetër anëtar të BE-së për dyshimet e përdorimit politik të policisë dhe “dyshimeve të tjera lidhur me respektimin e të drejtave themelore të njeriut, përfshirë ato të pronësisë”.

Përballja e këtyre sfidave dhe pavarësimi politik i organeve ligjzbatuese do t’i bënte të panevojshme piruetat e qeverisë, dhe krejtesisht qesharak guximin e një vendi anëtar të BE-së për të dërguar zyrtarë të lartë si protestues në një demokraci të konsoliduar,” argumenton Vurmo.

Sipas Gjipalit, që BE të ndërhyjë në këtë konflikt të ri mes Athinës dhe Tiranës duhet që çështja “Beleri” të kthehet në një çështje të respektimit të të drejtave të njeriut – një nga kriteret kyçe të anëtarësimit. Por kjo do të binte në kontradiktë sipas tij me reformën në drejtësi si një investim kryesor i Bashkimit Europian në Shqipëri.

“BE është angazhuar fuqimisht për të ndërtuar një gjyqësor profesional e të paanshëm në Shqipëri, dhe nëse do të ushtrohet presion i jashtëm ndaj tij, kjo cënon një nga investimet më serioze politike, por dhe financiare të BE-së,” përfundoi Gjipali.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT