Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një sërë takimesh me liderët europianë, pjesëmarrës në punimet e Samitit të Tretë të Komunitetit Politik Europian, i cili u mbajt në Granada, Spanjë.
Më herët, gjatë ditës së sotme Edi Rama bashkëdrejtoi me Kryeministrin e Suedisë Ulf Kristersson, Tryezën e rrumbullakët të diskutimit me temë “Transformimi dixhital dhe inteligjenca artificiale”, në aspektin e qasjes së qeverive, si dhe mori pjesë më një tjetër tryezë diskutimi, sëbashku me Presidenten e Komisionit Europian, Kryeministren e Italisë, Kryeministrin britanik, Kryeministrin e Holandës, si dhe Presidentin francez për çështjen e koordinimit të forcave dhe të kontributit të përbashkët lidhur me emigracionin e paligjshëm.
– Zoti Kryeministër, patët një takim të gjerë me disa prej liderëve kryesorë të Bashkimit Europian. Për çfarë diskutuat?
Këtu formati është me tryeza të ndryshme. Pasi kemi bashkëbiseduar së bashku me kryeministrin e Suedisë në tryezë për digjitalizimin, inteligjencën artificiale në aspektin e qasjes së qeverive. Kemi pasur një tjetër tryezë me Presidentin e Komisionit, me Kryeministren e Italisë, Kryeministrin britanik, atw të Holandës dhe Presidentin Macron, për çështjen e koordinimit të forcave dhe të kontributit të përbashkët lidhur me emigracionin e paligjshëm.E natyrisht nga njëra anë, kemi folur për eksperiencat tona të mëparshme, në vitet 2000 që kanë qenë eksperienca të suksesshme në aspektin e koordinimit të qeverive të Italisë e Shqipërisë dhe eksperienca të mëvonshme me Francën, me Britaninë, e kështu me radhë, e në këtë aspekt vazhdon funksionon ky komunitet, si një komunitet të barabartësh ku krijohen tryeza, krijohen grupe të ndryshme për të çuar përpara pjesë të axhendës së përbashkët europiane.
– Zoti Kryeministër, presidenti Michel është shprehur mjaft optimist për atë çka pritet të ndodhë në Samitin e dhjetorit. Çfarë do t’i komunikoni shqiptarëve, çfarë do të ndodhë në dhjetor sa i takon rrugëtimit tonë europian? Në fakt ju keni patur edhe takime të tjera.
Unë nuk merrem fare me data, me dhjetore, me nëntore, po, sepse janë festat kombëtare, apo me qershore. Ajo çka është e rëndësishme është që Shqipëria e ka hapur rrugën e negociatave, Shqipëria është duke punuar intensivisht çdo ditë me Brukselin, kemi vajtje-ardhje të vazhdueshme të gjithë grupeve tona të negociatorëve, kështu që ne jemi në rrugën tonë. Çështja e anëtarësimit në Bashkimin Europian është një çështje e dyanshme. Nga njëra anë, ne duhet të bëjmë të gjithë detyrat e shtëpisë që duhet t’i bëjmë për vete, e nga ana tjetër është vendimmarrja e Komisionit Europian, që është një vendimmarrje sovrane që lidhet dhe me aspekte politike. Kështu që nuk duhet të merremi me data, me dhjetore, me janare. Duhet të merremi me punën konkrete për ta bërë Shqipërinë një orë e më parë një vend që është një vend me standardet e Bashkimit Europian, të një vendi anëtarë të Bashkimit Europian natyrisht se Bashkimi Europian ka standarde të përbashkëta, por ka dhe nivele të ndryshime që vijnë nga historia e pastaj afirimimi i kësaj zyrtar do të marri kohën që do të marrë dhe është më pak i rëndësishëm do të thoja unë për ne sepse e rëndësishme për ne është të bëjmë detyrat.
– Kryeministër, ju keni qenë një zë i fuqishëm kohët e fundit që pas datës 24 të konfliktit në veri të Kosovës, sa i takon reciprocitetit për sanksione ndaj Serbisë sikurse ka ndodhur më herët me Kosovën. Diskutuat gjatë ditës së sotme ne lidhje me këtë me partnerët europanë?
Jo, nuk kemi pasur një diskutim specifik për këtë, do të vazhdojmë se kemi edhe darkën e punës, por natyrisht që unë vazhdoj të bëj timen, vazhdoj t’i qëndroj një për një të gjitha bindjeve të mia se nuk janë bindje të krijuara spontanisht, nuk janë gjendje që burojnë nga emocione apo nga erëra që fryjnë nga një drejtim apo një drejtim tjetër apo nga zjarre që ndizen apo fiken, por janë bindje që burojnë nga një vizion strategjik i rolit të Shqipërisë në rajon dhe i marrëdhënieve të Shqipërisë me Kosovën, në funksion të të cilës Shqipëria ka bërë më shumë se kurrë ndonjëherë atë që duhet të bëjë, por Shqipëria nuk është për të mbajtur iso për çdo gjë që thuhet në bazë të analizës që në të drejtën e tyre bëjnë në Prishtinë. Shqipëria është për të qenë në funksion të Kosovës dhe të njohjes përfundimtare të Kosovës me zërin e vetë dhe nga ana tjetër, kam parë po ashtu që si gjithmonë në këto raste shpërthejnë të gjitha kanalet e ujërave të zeza të kinse patriotizmit që siç thotë ajo fjala, është streha e fundit e maskarait.
Faleminderit!