Dibër – Një operacion kërkim-shpëtimi është zhvilluar mbrëmjen e 9 gushtit në lumin Drin i Zi, ku 8 qytetarë kishin mbetur të bllokuar mes dy rrjedhave të lumit.
Sipas njoftimit të strukturave të emergjencave, operacioni për nxjerrjen e tyre përfundoi me sukses në orën 20:48.
Në kushtet e krijuara, përdorimi i varkës ishte mundësia e vetme për të realizuar shpëtimin e qytetarëve.
Në operacion u angazhuan 5 efektivë zjarrfikës të Bulqizës, me një mjet zjarrfikës, 4 efektivë zjarrfikës të Dibrës, me një mjet Land Rover, 8 efektivë të Policisë së Shtetit, me një mjet, si dhe 2 specialistë të kërkim-shpëtimit.
Falë ndërhyrjes së ekipeve operacionale, të 8 qytetarët u nxorën të sigurt nga zona ku kishin mbetur të bllokuar.
Strukturat e përfshira në operacion kanë vlerësuar bashkëpunimin dhe koordinimin e të gjithë ekipeve, duke bërë të mundur përfundimin me sukses të ndërhyrjes.





