6.5 C
Tiranë
Saturday, November 23, 2024
spot_img

Ambasadori Gjerman Joern Rohde: Kosova duhet të përmbushë obligimin për Asociacion

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Joern Rohde, ka shprehur qëndrimin e tij në lidhje me procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke përmendur nevojën për përmbushjen e obligimeve, veçanërisht themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Rohde theksoi se Kosova ka një obligim që daton që nga vitet 2013-2015 për themelimin e Asociacionit, por ky proces ende nuk është realizuar. Ai vlerësoi gatishmërinë e Kosovës për të pranuar propozimin e përfaqësuesit të BE-së, mirëpo ngërça vazhdon për shkak të refuzimit të Serbisë për nënshkrim.

“Ky [themelimi i Asociacionit] është një obligim i Kosovës nga viti 2013 dhe 2015, i cili ende nuk është realizuar. Ju i keni parë njoftimet e QUINT-it, por edhe të Gjermanisë, çfarë kemi thënë publikisht. Kosova tha se është e gatshme ta pranojë këtë propozim të përfaqësuesit special të BE-së, të cilin ne e mbështesim plotësisht. Siç e dini, Serbia deri më tani ka refuzuar të nënshkruajë dhe tani jemi në ngërç. Lajçak po punon shumë për ta tejkaluar këtë situatë, sepse në fund na duhet një zgjidhje që të gjitha institucionet paralele të integrohen dhe që serbët në Kosovë të ndihen si në shtëpinë e tyre dhe të jenë pjesë e shoqërisë. Jo vetëm ata, por të gjithë duhet të ndihen si në shtëpinë e tyre. Dhe për të përshpejtuar rrugën evropiane, të dyja vendet, Kosova dhe Serbia, i përkasin BE-së”, ka thënë ambasadori gjerman.

Në lidhje me rolin e Gjermanisë në dialog, ai përmendi se mbështesin plotësisht të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak. Rohde shtoi se Gjermania është një protagonist kryesor në mbështetjen e Kosovës dhe Serbisë për t’u anëtarësuar në BE. Ai gjithashtu theksoi se nuk ka entuziazëm për pranimin e vendeve që nuk kanë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe se ky duhet të jetë një indikator për përshpejtimin e dialogut dhe normalizimin e plotë mes raporteve të dy vendeve.

Ambasadori Joern Rohde përfundoi duke theksuar nevojën për normalizim të plotë dhe përshpejtim të dialogut për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

“Siç thashë më herët, ne e mbështesim plotësisht përfaqësuesin e BE-së. Gjermania dëshiron që çdo vend në rajon në BE, sa më shpejt të jetë e mundur, por kjo varet nga dy gjëra. Vetë vendet dhe sigurisht BE-ja duhet të bëjë detyrat e shtëpisë. Tashmë jemi në 27 anëtarë, me gjashtë të tjera do të ishim në 33. Ballkani Perëndimor është oborri i brendshëm i BE-së dhe ne tregojmë qartë se jemi një nga protagonistët kryesorë që mbështesim Kosovën dhe Serbinë dhe të tjerët për t’u anëtarësuar në BE. Qoftë procesi i Berlinit, samiti i fundit i të cilit ishte në Tiranë, qoftë fakti që kemi takime të rregullta në nivel të lartë, tani vijon mbështetja financiare për vendet e Ballkanit për t’i afruar me BE-në. E sigurt është se nuk ka entuziazëm për të pranuar vendet që nuk kanë marrëdhënie të mira fqinjësore. Siç tha kancelari im, është e paimagjinueshme që dy vende që nuk e njohin njëri-tjetrin të hyjnë në BE. Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për normalizim të plotë. Kjo është arsyeja pse ne po shtyjmë për të përshpejtuar dialogun”, thotë Rohde.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT