10.5 C
Tiranë
Friday, November 22, 2024
spot_img

Propozim i BE për ndryshimet në kapitullin e bisedimeve me Serbinë: Kusht i detyrueshëm zbatim i marrëveshjeve me Kosovën

Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm i Bashkimit Evropian (EEAS) ia kanë dorëzuar të premten Këshillit të BE-së një propozim për ta ndryshuar dhe plotësuar kornizën e bisedimeve me Serbinë për anëtarësimin e saj në bllok.

Ndryshimet në kapitullin 35 kanë të bëjnë me përfshirjen si kusht detyrues për Serbinë edhe zbatimin e marrëveshjeve që ajo i ka arritur deri tani me Kosovën në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku evropian, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë burimet brenda BE-së.

Ky propozim u dorëzua dy ditë më vonë se afati që e kishin dhënë vendet anëtare në takimin e 12 dhjetorit të vitit të shkuar, kur kishin kërkuar që para fundit të muajit janar të këtij viti Komisioni dhe EEAS ta dorëzonin propozimin.

Kërkesa për ndryshimin formal të kushteve në kapitullin 35 për Serbinë vjen pasi kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha në dhjetor se vendi i saj nuk do t’i zbatonte të gjitha marrëveshjet për të cilat u pajtua me Kosovën.

Pas arritjes së Marrëveshjes në Bruksel në muajin shkurt të vitit të kaluar dhe aneksit për zbatimin e saj në Ohër në mars, Bashkimi Evropian kishte ngulur këmbë se këto marrëveshja janë ligjërisht obliguese për palët, pavarësisht se ato nuk janë nënshkruar.

Në rastin e Serbisë, sipas zyrtarëve të BE-së, zbatimi do të bëhet edhe formalisht obligues duke u përfshirë si kusht specifik në kornizën e bisedimeve të saj për anëtarësim në bllok.

Por, për më shumë se dhjetë muaj BE-ja nuk e kishte ndryshuar këtë kornizë. Prandaj, në konkluzionet që i nxorën nga takimi i Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, ministrat e vendeve anëtare kishin kërkuar që kjo të ndodhë sa më parë dhe Komisioni dhe EEAS ta bëjnë propozimin e tyre.

“Këshilli kërkon nga Komisioni dhe nga përfaqësuesi i lartë që urgjentisht, para fundit të janarit të vitit 2024, propozojnë dhe plotësojnë kushtet nga kapitulli 35 i negociatave të anëtarësimit për Serbinë” thuhej në këto konkluzione. Ato më vonë ishin mbështetur edhe nga shefat e shteteve anëtare në samitin e BE-së në Bruksel.

Kapitulli i 35 i negociatave të anëtarësimit, i cili quhet “çështjet tjera” në rastin e Serbisë përfshin edhe normalizimin e raporteve me Kosovën. Ky kapitull ishte hapur ndër të parët qysh në dhjetorë të vitit 2015, për të përcjellë përmes tij përparimin drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Bashkimi Evropian gjithmonë u ka dërguar porosi Beogradit dhe Prishtinës se rrugëtimi tyre drejt anëtarësimit në bllok kalon përmes përparimit në normalizimin e marrëdhënieve mes vete.

Këshilli i BE-së tani duhet ta votojë propozimin e Komisionit dhe EEAS për ndryshimin dhe plotësimin e kapitullin 35 për Serbinë.

Disa burime diplomatike brenda BE-së kanë thënë se vonesat në dorëzimin e propozimit ndodhën për shkak të disa kundërshtimeve që kishte bërë Oliver Verhelyi, komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi i BE-së. EEAS ishte më i interesuar që kjo të ndodhte sa më shpejt.

Kur në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars ishte arritur pajtimi për aneksin për zbatimin e Marrëveshjes bazë, mes tjerash ishte thënë se menjëherë pas kësaj marrëveshjeje do të niste puna për ndryshimin e kushteve në kapitullin 35 për bisedime me Serbinë, i cili do të përfshinte edhe detyrimin që ajo ta zbatonte Marrëveshjen dhe aneksin e saj.

Këmbëngulësia e vendeve anëtare që kjo të ndodhte sa më parë ishte bërë për ta përshpejtuar procesin, pasi disa diplomatë vlerësonin se Verhelyi po e zvarriste punën në këtë drejtim.

“Përkundër konkluzioneve të qarta nga dy dokumente nga niveli më i lartë i BE-së, Varhelyi qëndronte kundër dhe deri në momentin e fundit bllokonte këtë propozim”, tha për Radion Evropa e Lirë një zyrtar i BE-së.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT