14.5 C
Tiranë
Friday, September 20, 2024
spot_img

Refuzimi i amnistisë penale për Salianjin: Ndryshime në horizont për PS dhe opozitën

Partia Socialiste pritet t’i hapë telashe dhe të fusë sërish në ankthin e prangave Ervin Salianjin. Burime brenda PS bëjnë me dije se nuk do të pranohen ndryshimet në Amnistinë Penale që shpëtonin deputetin demokrat nga burgu, i cili u dënua në vitin 2019 për kallëzim të rremë me 1 vit, por ende nuk ka marrë një dënim të formës së prerë nga Apeli. Deri më tani në Kuvend është propozimi i Ferdinand Xhaferrajt, që veç protestuesve që janë në procese gjyqësore, shpëton dhe kolegun e tij, Ervin Salianji. Vetë Salianji ka bërë një tjetër amendament në përmbajtje i njëjtë me atë të Xhaferrajt por përjashtoi veten. Dhe për socialistët Salianji është vijë e kuqe. Detajimet do të bëhen në Komisionin e Ligjeve, aty ku do të dorëzojë amendament dhe Partia Demokratike zyrtare. Mësohet se do të pranohen propozimet për protestuesit e dënuar dhe ata në gjykim. Ky do të jetë i vetmi lëshim që do i bëhet opozitës, në Parlament.

Propozimi i Xhaferrit që shpëton Salianjin

Deputeti demokrat Ferdinand Xhaferri, sqaroi pak ditë më parë amendamentin e propozuar prej tij nga i cili ka thënë se mund të përfitojnë edhe kolegët demokratë të dënuar nga protestat e vitit 2021. “Amendamenti synon të shpëtojë përveç të gjithë atyre individëve në territorin shqiptarë që kanë një vendim të shkallës së parë në dy vjet dhe shumë kolegë e bashkëpunëtor të mi që në protestat që bënin deri para zgjedhjeve të 2021 janë dënuar me një vendim të shkallës së parë. Ka protestues që enden ende nëpër gjykata dhe njëkohësisht që ka ndonjë koleg deputet që përfiton nga ky amendament unë do të isha shumë i kënaqur sepse sikurse e kam sqaruar në paragrafin dy të amendamentit kjo dhënie amnistie përjashton të gjithë ata individë që vepra e tyre penale klasifikohet e lidhur me krimin e organizuar dhe korrupsionin”, ka thënë Xhaferri. Ai njëkohësisht është shprehur se do të votojë pro nëse do të miratohet dhe amendamenti i propozuar prej tij. Ligji i Amnistisë Penale pritet të kalojë në seancën e ditës së enjte. Kjo u konfirmua nga vetë Bledi Çuçi në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Në fjalën drejtuar deputetëve të mazhorancës, Çuçi bëri një përmbledhje të axhendës parlamentare për javën e re, si dhe kërkoi pjesëmarrje të deputetëve sidomos në seancën e ditës së enjtes kur pritet të kalojnë disa marrëveshje të rëndësishme, mes tyre edhe Protokolli me Italinë për Bashkëpunimin në fushën e Emigracionit. Ai shprehu dakordësi në parim për të zgjeruar bazën e përfituesve prej amnistisë ashtu sikundër ka propozuar edhe opozita. Shqetësim për miratimin pa vonesa të këtij ligji shprehu gjatë mbledhjes edhe Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.

Si e “rrëzoi” PS Salianjin

Manja ka thënë pak ditë më parë se amnistitë nuk marrin në konsideratë emra të përveçëm, pavarësisht funksionit apo detyrës “Nga kjo amnisti nëse do të marrë votën e 84 deputetëve përfitojnë afërsisht 700 të dënuar që sot janë në institucionet tona dhe rreth 2 mijë e 72 të dënuar me shërbim prove. Amnistitë nuk marrin në konsideratë emra të përveçëm, pavarësisht se çfarë funksioni apo detyre mbajnë. Ne kemi një qendrim të qartë, i kemi përjashtuar nga amnistia të gjithë personat e dënuar apo që heton dhe gjykohen për krime kundër drejtësisë. Është qëndrim ky dhe këtu nuk merren në konsideratë emra. Ne kemi thënë që kush është dënuar për një krim kundër drejtësisë, nuk përfiton nga amnistia. Këtë të drejtë nuk ua kemi dhënë as burrave, as grave, as të miturve, thjesht i kemi futur si kategori përfituese. Nuk dua të ndalojë në emra konkretë”, u shpreh ndër të tjera ministri Manja.

Burgjet janë të mbushur, Amnistia Penale do t’i lehtësojë

Manja sqaroi se numri i të paraburgosurve në burgjet e vendit është shumë më i lartë sesa standardi evropian dhe Amnistia Penale do të jetë një lehtësim i madh. “Ka një numër të caktuar se sa banorë rezidentë mund të akomodohen në struktura. Sot që flasim jemi në kapacitetet tona maksimale. Kemi 5970 të dënuar dhe të paraburgosur dhe persona me masë mjekësore që janë banorë rezidentë në këto 19 struktura. Janë 3300 të paraburgosur dhe 2207 të dënuar. Referuar standarteve evropiane, numri i të paraburgosurve duhet të variojë nga 25-30 përqind e numrit të të dënuarve. Ne i kemi të përmbysura këto raporte. Numri i të paraburgosurve është 1193 më shumë sesa numri i të dënuarve. Ne sot kemi 2600 më shumë po t’i referohemi standardeve të BE-së. Kemi një kosto ditore për çdo të paraburgosur. 2600 të paraburgosur x 12 muaj i kushton buxhetit 22 milionë euro. Nëse do kishim një sistem që funksionon në mënyrë perfekte dhe merr në konsideratë respektimin e të drejtave themelore të njeriut, ne do të duhet të kishim 700 të paraburgosur dhe do t’i kishim kursyer buxhetit të shtetit 22 milionë euro”, u shpreh ministri Manja.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT