Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa dhe Ministja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, janë përplasur në një debat të ashpër gjatë seancës plenare të parlamentit.
Zhupa akuzoi qeverinë se ka shkelur Kushtetutën dhe ka bllokuar debatin në Kuvend, duke shprehur keqardhje për mënyrën sesi ka vepruar ministja Spiropali në rolin e saj si kryetare e komisionit të medias.
‘Ky Kuvend ka kaluar në një puçist të Kushtetutës, ku çdo gjë bëni përveç Kushtetutës që nuk e njihni, Zonja Spiropali mori atributet e kryetares së komisionit të medias dhe vendosi veten si një kryetare mbi rregulloren dhe u dha urdhër deputetëve të tjerë që janë mësuar të nëpërkëmbur duke thënë se nuk do pranoni kërkesën për të bërë një seancë diskutimi për lirinë e medias në diskutim nga deputetja e opozitës. Për gjuhën që përdor Rama me mediat në vend që e ka shtrirë dhe në Itali tani.
Aferat e qeverisë nuk janë të Shqipërisë, Rama mund të jetë Skënderbeu për Spiropalin, por jo Shqipëria për ne. Nuk ka baltosur njeri shqiptarët, por janë afera ato që kanë dalë që janë në dosjet e prokurorive. Këtë model e transferoni te gjithë institucionet e tjera. Si mund të mos vijë Alfred Peza në komisionin hetimor, drejtori i RTHS dërgon email dhe thotë nuk kam qejf të vij. Del Skënder Gjinushi dhe thotë pse të na auditojë KLSH ne. Ju ka juve model, bëni ligj me porosi për të, normal që ndihet mbret aty. Keni harruar se keni përballë një opozitë që do ju ndjekë dhe do mbrojë interesin publik të shqiptarëve me çdo kusht.’- u shpreh Zhupa.
Në përgjigje, Spiropali kritikoi Zhupën për mungesë besueshmërie dhe për qëndrimet e saj politike, duke i thënë se ajo nuk ka shprehur gjithmonë qëndrime të vërteta dhe origjinale. Në kundërshtim me të, Spiropali argumentoi se qeveria po punon për interesin kombëtar, ndërsa akuzoi opozitën për mosbashkëpunim dhe tallje me Shqipërinë.
‘Jeni rast për t’u studiuar. Flisni bukur, keni tekst të mirë, jeni korrekte. Madje 2-3 nga ju që pretendojnë se shkruajnë mirë nuk ua kalojnë. Por pavarësisht se i bëni të gjitha këto asnjë fjalë e juaja nuk mbetet, nuk shkon te njerëzit, se siç duket Ina ke 0 besueshmëri, e di pse, se nuk thua gjëra të vërteta e origjinale, çdo gjë që thua buron nga dëshira jote e papërmbajtur për të rënë në sy. Meqë më përmende, për përgjigjen që dhashë në Facebook, ishte një koment, jo për të marrë rolin e zonjës Açka, por për t’i vërtetuar publikut se për shkak të mllefit ndaj Edi Ramës harroni edhe dashurinë ndaj Shqipërisë, të cilën mesa duket nuk e keni pasur kurrë. Ndryshe nuk do angazhoheshit për t’i hedhur gurin e fundit Shqipërisë, nga Brukseli në Uashington. Jeni bërë objekt talljeje, prapa krahëve të atyre që nuk mund ta kuptojnë që se si të paktën për interesi kombëtar ne nuk bëhemi dot bashkë. Ndaj jeni aty ku jeni dhe s’do jeni kurrë këtu ku jemi ne.’- u shpreh Spiropali.
Debati reflektoi tensionet politike në vend dhe mosmarrëveshjet midis qeverisë dhe opozitës në lidhje me rolin dhe funksionimin e institucioneve.