Pas muajsh negociatash, përpjekjet për armëpushim kanë arritur në një fazë kritike. Ndërmjetësit egjiptianë dhe amerikanë kanë njoftuar për shenja kompromisi ditët e fundit. Por shanset për marrëveshjen vazhdojnë të jenë të lidhura ngushtë me faktin nëse Izraeli do të pranojë të ndërpresë luftën pa arritur objektivin e shkatërrimit të Hamasit.
Propozimi i ndërmjetësve amerikanë dhe egjiptianë për Hamasin – me miratimin e Izraelit – parashikon një proces me tre faza që do të sillte një pauzë të menjëhershme gjashtë-javore të luftimeve dhe lirimin e pjesshëm të pengjeve izraelite, por edhe negociata për mundësinë e një tërheqjeje izraelite nga Gaza, sipas një zyrtari egjiptian. Megjithatë, nuk është e qartë se çfarë forme dhe përmasash do të kishte kjo tërheqje.
Hamasi po kërkon garanci për një tërheqje të plotë të Izraelit dhe përfundim të plotë të luftës. Zyrtarët e Hamasit kanë dërguar sinjale të përziera rreth propozimit ditët e fundit.
Të enjten, udhëheqësi i lartë i grupit, Ismail Haniyeh, tha në një deklaratë se ai kishte biseduar me shefin e zbulimit të Egjiptit dhe theksoi se po e shqyrtonte me “një frymë pozitive” propozimin. Sipas deklaratës, negociatorët e Hamasit do të shkojnë në Kajro “për të përfunduar diskutimet me synimin për të punuar drejt një marrëveshjeje”.
Ndërmjetësit shpresojnë që marrëveshja t’i japë fund konfliktit që filloi pas sulmit të 7 tetorit në Izrael, ku u vranë rreth 1200 persona. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë që kontrollohet nga Hamasi, kundërofensiva izraelite ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 34,000 palestinezëve dhe një krizë humanitare në territor.
Ata gjithashtu shpresojnë se një marrëveshje do të shmangte një sulm izraelit në Rafah, ku strehohet më shumë se gjysma e 2.3 milionë njerëzve të Gazës.
Nëse Izraeli pranon t’i japë fund luftës në këmbim të lirimit të plotë të pengjeve, kjo do të përbënte një kthesë të madhe. Udhëheqësit e Izraelit janë zotuar se nuk do t’i ndalin bombardimet dhe ofensivat tokësore derisa grupi militant të shkatërrohet. Ata gjithashtu thonë se Izraeli duhet të mbajë një prani ushtarake në Gazë dhe kontrollin e sigurisë atje pas luftës, për t’u siguruar që Hamasi të mos rigjallërohet.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu vazhdon të këmbëngulë se ky është i vetmi skenar i pranueshëm. Ai është zotuar se edhe nëse arrihet një armëpushim, Izraeli do të ndërhyjë në Rafah, për të cilin ai thotë se është bastioni i fundit i Hamasit në Gazë. Ai përsëriti vendosmërinë për ta bërë një gjë të tillë në bisedimet me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Nuk është e qartë nëse Hamasi do të pranonte një marrëveshje të shpejtë që nuk jep një zgjidhje përfundimtare, në favor të një pauze fillestare gjashtë-javore të luftimeve – dhe të paktën një shtyrje të një sulmi në Rafah, që mund të kishte pasoja shkatërrimtare për atë që dyshohet se do të ishte një sulm shkatërrues në Rafah.
Egjipti e ka siguruar privatisht Hamasin se marrëveshja do të thotë një përfundim i plotë i luftës. Por zyrtari egjiptian tha se Hamasi mendon se gjuha e tekstit të propozimit është shumë e paqartë dhe do që aty të thuhet shprehimisht se Izraeli do të tërhiqet plotësisht nga e gjithë Gaza.