15.5 C
Tiranë
Thursday, September 19, 2024
spot_img

Skandale dhe neglizhenca në QSUNT: Pajisje të vjetra, tendera të paarsyeshëm dhe vjedhje pa ndëshkim

Plot 10 milionë euro janë dhënë nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë (QSUT) subjektit privat “A.G.S” për shërbimin e lavanderisë, por pas fitimit të tenderit, rregullat e lojës ndryshojnë dhe shërbimi nuk ofrohet sipas kushteve të kontratës. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, gjatë auditimit të kryer në ambientet e brendshme të lavanderisë, rezulton se dy barriera larëse profesionale nuk ishin në gjendje pune dhe ishin të magazinuara në një ambient brenda lavanderisë. Subjekti “AGS” vazhdoi të mos punojë në kapacitet të plotë, pasi, sipas KLSH-së, Drejtoria e Shërbimeve Mbështetëse pranë QSUT-së nuk ka kryer monitorim e kontratës. Shkelja e kontratës vijon edhe me një fakt të konstatuar nga KLSH-ja: operatori ekonomik “A.G.S” duhet të disponojë 7 lloje thasësh për mbledhjen e materialeve të kontaminuara, por pas auditit rezultoi se përdorte vetëm dy lloje, duke sjellë mungesën e ndarjes së materialeve me rreziqe të ndryshme, si materiale të kontaminuara, ose materiale me rrezik mikrobiologjik. Administratoreja Alma Tafani e subjektit “AGS” nuk pranoi faktin që dy makina larëse ishin jashtë funksionit dhe nuk pranoi kthimin e shumës 11,032,753.88 lekë që i është paguar padrejtësisht.

Pediatria e Re, e riskuar nga tërmeti

Pak kohë më parë, kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e mëparshme e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, promovuan disa herë ndërtimin e godinës së re të Pediatrisë, një investim i kryer nga Buxheti i QSUT-së. Por, ndryshe nga fotot plot ndriçim në rrjetin social të Ramës, situata faktike me godinën e re të Pediatrisë nuk është edhe aq farfuritëse. “Investimi i godinës Pediatrisë Infektive në vlerën 26,638,885 lekë, nuk ka arritur zgjidhjen e qëndrueshmërisë së godinës me risk të lartë mbi qëndrueshmërinë dhe integritetin strukturor në rast tërmeti”, thuhet në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

E, duke mbajtur në konsideratë se godina u ndërtua pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019, do të thotë se pasojat e asaj lëkundjeje sizmike nuk duket se i kanë bërë aspak të ndjeshëm menaxherët e QSUT-së për të zbatuar me rigorozitet kushtet dhe kriteret e ndërtesave të reja.

Tendera urgjentë “pa kuptim”

Qendra Spitalore Universitare Tiranë, duke qenë se përballon një fluks të madh pacientësh nga e gjithë Shqipëria, mund të përballet herë pas here edhe me mungesë medikamentesh. E, për këtë arsye, e ka të nevojshme të kryejë tendera emergjentë. Por, mesa duket, ka edhe raste kur, këto tendera urgjentë nuk vijnë si pasojë e fluksit të paparashikuar të pacientëve, por për shkak të keqmenaxhimit institucional. Një keqmenaxhim, i cili natyrisht, shoqërohet me faturë të majme financiare. KLSH ka verifikuar procedurën e prokurimit me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës me objekt “Mirëmbajtje e pajisjeve mjekësore për përballimin e nevojave ekstreme, deri në lidhjen e kontratës bazë të procedurave konkurruese me të drejtë shkëputje pa pasoja për autoritetin kontraktor me fond limit në vlerën 61,002,230 lekë pa TVSH”. Audituesit shtetërorë, pasi kanë verifikuar dokumentin e kësaj procedurë, kanë arritur në konkluzionin se nevoja ekstreme “ka ardhur si pasojë e mos vëmendjes së duhur institucionale dhe përgjegjësisë ndaj detyrës së strukturave të përfshirë në këtë proces, duke filluar nga nivele të larta menaxheriale/drejtuese..”.

Vjedhje e padenoncuar në Polici

KLSH thotë se, nga inventarizimi në Polin e Administrimit të Spitalit Polivalent, janë konstatuar 192 aktive të munguara në vlerën 21.885.993 lekë. Nga QSUNT nuk janë marrë masa “për sa i përket denoncimit në kohë të aktit në organet kompetente (prokurori, polici etj.), nxjerrjes së përgjegjësive për aktivet në mungesë, si dhe dëmshpërblimin e vlerës 21,885,993 lekë për 192 aktivet e humbura:, thotë KLSH. Sipas të dhënave zyrtare, rezulton se QSUT i është drejtuar policisë së shtetit 4 muaj me vonesë.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT