Mbrëmjen e 21 majit 2024, në fshatin Shënavlash të Durrësit, ndodhi një ngjarje e rëndë ku një 24-vjeçar, Eduart Buçeza, u plagos në këmbë nga kushëriri i tij, Ilir Buçeza. Kamerat e sigurisë kanë regjistruar incidentin, ku shihet autori me pistoletë në dorë duke hyrë në oborr dhe duke iu afruar Eduardit, i cili ndodhej pranë një makine të zezë.
Në video duket qartë momenti kur Iliri fsheh pistoletën në çantë dhe më pas e nxjerr për të qëlluar Eduardin tre herë në këmbë. Ky veprim duket se kishte për qëllim të paralajmëronte kushëririn e tij. Pas sulmit, Iliri ikën me vrap nga vendi i ngjarjes.
Eduart Buçeza është dërguar menjëherë në spital dhe aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Ndërkohë, Ilir Buçeza vijon të jetë në kërkim nga policia.