Angelo Onorato, bashkëshorti i eurodeputetes italiane Francesca Donato, u gjet i vdekur në makinën e tij. Ai kishte lënë një letër për familjen, duke shkruar se po përballej me një moment të vështirë dhe se nëse do të ndodhte diçka, do të drejtohej te avokati. Në letër, ai kishte shprehur vështirësitë ekonomike dhe kishte përshkruar pasuritë që zotëronte dhe borxhet që kishte.
Avokati i tij është paraqitur në autoritetet hetimore italiane për të sqaruar situatën ekonomike. Ndërkohë, hetuesit po këqyrin pamjet e kamerave të sigurisë në vendin e ngjarjes.
Familja e Onoratos përjashtoi mundësinë e vetëvrasjes dhe beson se ai është vrarë. Eurodeputetja Donato dhe vajza e saj gjetën Onoraton në makinë, duke konstatuar se ai ishte i vdekur me një shirit plastik rreth qafës. Ata besojnë se nuk ka mundësi që Onorato të ketë kryer vetëvrasje dhe shprehin bindjen se ai është vrarë.
Ndërsa policia vijon hetimet, vajza e Onoratos, Carolina, ka shkruar në rrjetet sociale se babai i saj nuk u vetëvra, por u vra.
“Janë thënë gjëra të pasakta, ndaj ndjej nevojën të saktësoj se si janë gjërat: Babai im nuk u vetëvra, ai u vra. Ai nuk ishte një person që do të kishte lënë ndonjëherë familjen e tij kështu. Mbi të gjitha mënyra si e gjetëm unë dhe nëna ime ju them se nuk ishte vetëvrasje, por vrasje”, ka shkruar vajza 20 vjecare e biznesmenit.