Qendra për pritjen e emigrantëve në Gjadër do të jetë funksionale së shpejti dhe puna po ecën me ritme të mira. Kështu ka deklaruar kryeministrja italiane Giorgia Meloni në një intervistë të dhënë të dielën për Rai3, lidhur me marrëveshjen e nënshkruar me Shqipërinë.
Në një intervistë për “In mezz’ora”, Meloni u shpreh se ky projekt strategjik “mund të ndryshojë ndjeshëm politikat e menaxhimit të migracionit në BE”.
“Ky projekt do të jetë operativ pas pak kohësh. Është një projekt të cilin ne duam ta bëjmë në mënyrën më të mirë, sepse mendoj se është një projekt jashtëzakonisht strategjik. Ajo që të gjithë duhet të kuptojnë është se nëse marrëveshje me Shqipërinë funksionon, kjo mund të ndryshojë shumë politikën evropiane të menaxhimit të migracionit dhe për këtë, e majta italiane është shumë nervoze. Më bën të qesh fakti që shumë nga eksponentët e Partisë Demokratike Italiane fillimisht na akuzuan se duam të ndërtojmë një Guantanamo në Shqipëri dhe tani ankohen për vonesat në ndërtimin e Guantanamos… Mos u shqetësoni se projekti do të jetë operativ, projekti do të funksionojë dhe projekti do të hapë rrugën për shumë pista të tjera,” tha Meloni.
Kryeministrja italiane i doli sërish në mbrojtje homologut të saj, Edi Rama, që sipas saj është sulmuar në mënyrë të padrejtë nga mediat dhe opozita italiane që nga momenti i nënshkrimit të marrëveshjes.
“Kështu që unë dua të falënderoj këto vende dhe mbi të gjitha dua të falënderoj Edi Ramën sepse ai ka qenë subjekt i të gjitha llojeve të sulmeve që kur vendosi të firmoste me ne këtë marrëveshje. Ajo që Edi Rama donte të bënte ishte thjesht të ndihmonte Italinë dhe për rrjedhojë të këtij fakti për të u kërkua të dëbohej nga Partia Socialiste Evropiane. Fakti që praktikisht Shqipëria të përkufizohet si narkoshtet, fakti që vënë në gojën e tij gjëra që ai nuk i ka thënë kurrë, le të themi, nuk janë të drejta,” theksoi ajo.
“Nuk e di nëse për të majtën italiane të ndihmosh Italinë nuk është një princip i majtë. Mua më duket se ka bërë thjesht një gjë, pavarësisht çfarë mund të mendoni për marrëveshjen, që të na japë një ndihmë dhe që të gjithë duhet ta falënderojmë për këtë,” përfundon kryeministrja italiane, Giorgia Meloni në një intervistë për emisionin “In mezz’ora”uj të Rai3.