Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar (LZHK), Dashamir Shehi, ka shprehur rezerva të forta ndaj ngritjes së Komisionit të Posaçëm AntiKorrupsion, duke e quajtur një mjet për presion ndaj drejtësisë, veçanërisht ndaj SPAK dhe GJKKO. Në një konferencë me gazetarët, Shehi deklaroi:
> “LZHK nuk është dakord me këtë komision, prandaj nuk e kemi votuar. Pozicioni i opozitës ka qenë pozitiv që nuk mori pjesë. Ne e kemi konsideruar një dokument pa vlerë që nuk lufton realisht korrupsionin, qeveria i ka mjetet e nevojshme për ta luftuar korrupsionin. S’ka si e lufton korrupsionin një komision i dominuar po nga kjo qeveri, me kryetar po këta të shumicës. Është një lloj teatri për t’i hedhur hi sy popullit”.
Shehi ka bërë thirrje për vazhdim të bojkotit të këtij komisioni nga ana e opozitës dhe ka shprehur dyshime se ky komision ka për qëllim të ushtrojë presion mbi drejtësinë e re.
Kundërshtimi i Ilir Metës*
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, gjithashtu e ka kundërshtuar ngritjen e këtij komisioni, duke e cilësuar atë një tentativë për të legjitimuar “Ramaformën”. Meta ka thënë:
> “Tani të kalosh nga komisioni i reformës që ishte 5 me 5, te komisioni i Ramës për të legjitimuar ‘Ramaformën’ me kontroll absolut të mazhorancës është gjëja më e turpshme dhe skandaloze”.
Meta ka dënuar pjesëmarrjen në këtë komision dhe e ka quajtur të pamoralshme dhe të papranueshme.
Thirrja e Shehit për Opozitën
Shehi ka apeluar ndaj pjesës tjetër të opozitës të vazhdojë bojkotin dhe të mos fillojë negociata për pjesëmarrje në komision. Ai ka theksuar:
> “Rruga për të luftuar korrupsionin janë të tjera. Ne kemi dyshimin permanent, edhe pjesë të tjera të opozitës, se kjo po bëhet për t’i bërë presion SPAK dhe GJKKO. Për të ndërtuar një institucion që i jep vetes të drejtën të ndërhyjë dhe të krijojë presion mbi këtë lloj institucionesh. Do jetë dëm i madh. I ftoj kolegët e tjerë opozitarë t’i qëndrojnë këtij pozicioni”.
Qëllimet e Dyshuara të Komisionit
Shehi ka deklaruar se komisioni ka dy qëllime kryesore: presionin ndaj drejtësisë së re dhe shpërndarjen e “qokave” brenda Partisë Socialiste. Ai ka shtuar:
> “Të shkosh në Kuvend, të mos marrësh pjesë, të bësh sherr dhe të futesh në Komisione nga mbrapa, nuk duket shenjë serioze. I ftoj të mos përzihen në atë lloj komisioni që ka si qëllim kryesor t’i bëjë presion reformës në Drejtësi. Qëllimin e dytë ka me arnu sherret brenda PS, me nda nga një peshqesh të vogël shefave socialistë”.
Ngritja e Komisionit
Komisioni i Posaçëm AntiKorrupsion u ngrit një ditë më parë vetëm me 74 votat e mazhorancës, ndërkohë që opozita bojkotoi procesin e votimit. Komisioni do të ketë 11 anëtarë, me një afat fillestar 10 mujor, dhe pritet të drejtohet nga socialisti Fatmir Xhafaj. Objekti i komisionit, sipas projekt-vendimit, do të jetë skanimi dhe reformimi i luftës ndaj korrupsionit dhe sundimi i ligjit në funksion të integrimit evropian të vendit.