6.5 C
Tiranë
Saturday, November 23, 2024
spot_img

Gjermania lëshon urdhërarrest për atentatin ndaj gazsjellësit Nord Stream: Dyshimet drejt Ukrainës

Në rastin e atentatit ndaj gazsjellësit Nord Stream në shtator 2022 në Detin Baltik, Prokuroria e Përgjithshme Gjermane ka lëshuar urdhërarrestin e parë, sipas informacionit të mediave. Gati dy vjet pas sulmeve me lëndë shpërthyese kundër gazsjellësit Nord Stream, Prokurori i Përgjithshëm Gjerman, Jens Rommel, ka lëshuar urdhërarrestin e parë për një person të dyshuar. Sipas informacionit të televizionit ARD dhe gazetave “Süddeutsche Zeitung” (SZ) dhe Die Zeit, bëhet fjalë për një ukrainas me emrin Volodymyr Z., që së fundmi ka qëndruar në Poloni.

Edhe dy nënshtetas të tjerë ukrainas, përfshirë një femër, janë në mesin e të dyshuarve. Sipas të dhënave, ata dyshohet se kanë marrë pjesë në atentat, ndoshta si zhytës dhe kanë ofruar lëndën shpërthyese për gazsjellësin. Informacionet për këta individë bazohen në të dhëna të shërbimeve të inteligjencës nga një vend tjetër. Sipas hetimeve, këta persona ishin në shtator 2022 në Detin Baltik duke lëvizur me një jaht me vela të quajtur “Andromeda”.

Hetuesit e Zyrës së Kriminalistikës, BKA dhe Policia Federale duket se kanë bërë një hap të rëndësishëm në një nga procedurat hetimore më të mëdha të dekadave të fundit në Gjermani. Në një kohë kur Suedia dhe Danimarka kishin mbyllur hetimet në fillim të vitit për këtë rast, Prokuroria e Përgjithshme Gjermane vazhdoi hetimet dhe, sipas mediave, ka mbledhur prova të mjaftueshme për të arritur një urdhërarrest në Gjykatën Federale.

Mënyra e vendosjes së të dyshuarit mbetet e paqartë. Sipas të dhënave të ARD, SZ dhe Die Zeit, hetuesit gjermanë besojnë se Volodymyr Z. ka qëndruar së fundmi në periferi të Varshavës, por aktualisht ai është në ilegalitet. Nëse ai ka kaluar në Ukrainë nuk dihet. Në një telefonatë të shkurtër, Z. shprehu habi për akuzat dhe mohoi çdo përfshirje në atentatin kundër Nord Stream.

Nga pala polake nuk ka pasur deri tani përgjigje në lidhje me kërkesat ligjore të palës gjermane. Gjithashtu, nuk është e qartë se përse autoritetet polake nuk e kanë arrestuar Volodymyr Z. Sipas rregulloreve të përbashkëta të urdhërarresteve europiane që respektohen nga Gjermania dhe Polonia, pritej që arrestimi të bëhej brenda 60 ditësh, por ky afat ka skaduar tashmë.

Më 26 shtator 2022, tre nga katër linjat e gazsjellësit Nord Stream u shkatërruan në rreth 80 metra thellësi në tabanin e Detit Baltik. Përmes dy përçuesve të Nord Stream kalonte një pjesë e madhe e gazit rus drejt Gjermanisë. Shumë shtete lindore dhe perëndimore kritikuan këtë projekt, duke paralajmëruar për pasojat gjeopolitike të mënjanimit të Europës lindore.

Si pasojë e luftës agresore të Rusisë kundër Ukrainës dhe përplasjeve të tjera me perëndimin, Moska kishte pezulluar furnizimet përmes Nord Stream 1 para atentatit, ndërsa përçuesit e Nord Stream 2 nuk ishin vënë në përdorim për shkak të përplasjeve politike.

Ende është e paqartë nëse ndihma nga autoritetet ukrainase ka qenë e nevojshme për përgatitjen dhe realizimin e aktit të sabotazhit. Hetimet dhe urdhërarresti nuk kanë gjetur lidhje të drejtpërdrejta me ushtrinë ukrainase apo shërbimet sekrete. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenski, ka hedhur poshtë çdo përfshirje të vendit të tij në atentatin ndaj gazsjellësit. Në pranverë, kreu i shërbimit informativ ukrainas, Kyrylo Budanov, deklaroi për ARD se “jam më shumë se i sigurtë, që asnjë nga zyrtarët në Ukrainë nuk ka të bëjë në asnjë mënyrë me këtë”.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT