9.5 C
Tiranë
Saturday, November 23, 2024
spot_img

Policia e Shtetit reagon për vrasjen e Egli Progës në Pogradec: Sqarime mbi akuzat

Policia e Shtetit ka reaguar sërish në lidhje me vrasjen e Egli Progës në Pogradec, pas një reagimi të mëparshëm nga Prokuroria e Korçës që ka hedhur akuza në drejtim të policisë. Sipas Policisë së Shtetit, ndryshe nga sa është thënë në reagimin e Prokurorisë, akt-ekspertizën për ngjarjen e ndodhur më 10 gusht 2024 në Pogradec e kryen Instituti i Policisë Shkencore.

REAGIM I POLICISË SË SHTETIT

Në respekt të qytetarëve, medias dhe të drejtës për informim, Policia e Shtetit dëshiron të sqarojë opinionin publik mbi dy njoftimet e bëra nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë në lidhje me veprimet hetimore dhe procedurale të kryera nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë dhe Komisariati i Pogradecit. Sqarojmë se:

Prokuroria e Korçës kishte ngritur pretendimin se Policia e Shtetit nuk kishte sjellë akt-ekspertizën ligjore bashkë me të arrestuarit për ngjarjen. Megjithatë, akt-ekspertizën e kryen Instituti i Policisë Shkencore, përkundër vendimeve për kryerjen e ekzaminimeve, dhe kjo nuk bëhet aty për aty për shkak të procedurës dhe përpilimit të Aktit të Ekspertimit. Në reagimin e dytë, Prokuroria njoftoi për ngritjen e një akuze për shpërdorim detyre ndaj një punonjësi të Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Pogradec, duke e akuzuar se nuk kishte marrë asnjë masë për të dokumentuar ose bërë të ditur shkakun e vdekjes së shtetasit E. P. më 10.08.2024 në Pogradec.

Fakti është se punonjësi i Patrullës së Përgjithshme, Inspektor A.L., i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, nuk ka asnjë lidhje me hetimin policor të ngjarjes dhe as me operacionin e policisë për kapjen e autorit. Hetimi i ngjarjes kryhet nga Oficerët e Policisë Gjyqësore dhe grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë, ndërsa punonjësit e Patrullës së Përgjithshme kanë detyra të tjera funksionale në vendngjarje, përveç atyre hetimore. Sipas përshkrimeve të punës të Oficerit të Patrullës së Përgjithshme, miratuar me Urdhrin Nr.1024, datë 10.07.2023, “Përgjegjësitë kryesore” përfshijnë: “Sigurimin e vendit të ngjarjes për të parandaluar ndryshimin/asgjësimin e provave dhe për të garantuar sigurinë e saj. Identifikimin e viktimave, denoncuesve dhe dëshmitarëve, sigurimin e informacionit të nevojshëm prej tyre, si dhe identifikimin dhe shoqërimin e të dyshuarve”.

Inspektori A.L., me mbërritjen në vendngjarje, ka komunikuar me të pranishmit, ka bërë sigurimin e vendngjarjes, ka informuar sallën operative mbi ngjarjen, gjeneralitetet e të dëmtuarit, si dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore. Pas mbërritjes së ambulancës, ai ka shoqëruar të dëmtuarin me automjetin e policisë për në spital dhe ka qëndruar në pritje për të marrë informacion mbi gjendjen shëndetësore të të dëmtuarit. Me marrjen e njoftimit nga mjekët, ai ka informuar grupin hetimor që i dëmtuari kishte ndërruar jetë. Sqarojmë opinionin publik se Inspektori A.L. ka përmbushur të gjitha detyrat funksionale.

Në respekt të pavarësisë së organeve të drejtësisë, Policia e Shtetit nuk komenton arsyet apo shkaqet e gjykimeve të Prokurorisë, ashtu siç nuk komentoi ngritjen e akuzës për “vrasje nga pakujdesia”, pa pritur aktin e ekspertizës mjeko-ligjore dhe duke hedhur poshtë akuzën e ngritur nga Policia e Shtetit për “vrasje me dashje”. Policia e Shtetit ka kapur, arrestuar dhe dërguar para drejtësisë autorin e dyshuar të ngjarjes dhe ka dërguar në Prokurori të gjitha materialet e nevojshme hetimore që janë kryer në vendngjarje dhe gjatë hetimit paraprak. Materialet janë dorëzuar në Prokurori me numër protokolli, çka hedh poshtë akuzën e Prokurorisë për mangësi në aktet e referuara nga Policia. Kontrolli rigoroz i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore ka gjetur në përputhje të plotë me misionin dhe ligjin të gjitha hapat e ndërmarra nga strukturat e policisë vendore për zbardhjen e ngjarjes. Policia e Shtetit mbetet e angazhuar maksimalisht për të zbatuar ligjin, për të reaguar në kohë dhe me profesionalizëm për parandalimin dhe hetimin e ngjarjeve kriminale, për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, si dhe për t’u ofruar një shërbim sa më cilësor.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT