Reperi i njohur Rigels Rajku, i njohur me emrin artistik Noizy, është liruar nga qelia pas një vendimi të Gjykatës së Durrësit, ndërsa autoritetet në Kosovë e kanë shpallur atë në kërkim për akuzat e dhunës ndaj personazhit të “TikTok”, Muhamet Iseni, i njohur si Medi. Vendimi për lirimin e Noizyt u mor gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar një ditë më parë, ku reperi ofroi një garanci pasurore prej 50 milionë lekësh të vjetra.
Sipas vendimit të gjykatës, Noizy do të qëndrojë në masën e sigurisë “arrest në burg” deri në depozitimin e garancisë pasurore, e cila duhet të kryhet brenda pesë ditëve. Pas depozitimit të shumës, prokurori do të verifikojë dokumentacionin përkatës dhe, brenda 24 orëve, do të urdhërojë lirimin e tij ose konfirmimin e masës së “arrest në burg”.
Noizy ishte arrestuar më 7 gusht në Shëngjin, pas akuzave për plagosje të rëndë në një klub nate në Pejë, ku u përfshi në një sherr me Medin. Sherri mes grupit OTR dhe Medi Isenit kishte ndodhur në orët e para të mëngjesit të 2 gushtit në klubin e natës “Sancy” në Pejë, pas tensioneve të krijuara nga videot e Medit në TikTok, ku ai shpesh kishte ofenduar reperat Noizy dhe Stresi.
Në lidhje me të njëjtën ngjarje, reperi Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi, është në kërkim nga autoritetet. Në një reagim në rrjetet sociale, Stresi ka shprehur mbështetjen për Noizyn pas lirimit të tij, duke shtuar se DJ Crax, i arrestuar së bashku me Noizyn, nuk është liruar pasi është shtetas kosovar dhe për të vendos Gjykata e Pejës.
Noizy ka mohuar të ketë qenë i përfshirë në dhunën ndaj Medit, duke deklaruar në rrjetet sociale se nuk ka prekur asnjë person atë natë dhe se ishte larguar menjëherë nga vendngjarja pasi nisi përleshja. Ai ka shprehur keqardhje për situatën dhe ka thënë se nëse do të kishte mundësi të kthehej pas, nuk do të kishte lejuar asnjë që të përdorte dhunë ndaj Medit, pavarësisht ofendimeve të tij në TikTok.
Reperi përballet ende me akuzat e ngritura nga autoritetet kosovare, ndërsa vazhdon të mbrojë pafajësinë e tij në lidhje me ngjarjen e ndodhur.