Forcat izraelite kanë vrarë të premten një komandant të lartë të Hamasit, Wassem Hazem, në ditën e tretë të një operacioni të madh në Bregun e Perëndimor. Ushtria izraelite njoftoi se Hazem, lider i Hamasit në Xhenin, ishte i përfshirë në sulme me armë dhe bomba në territorin palestinez. Përveç Hazemit, dy pjesëtarë të tjerë të Hamasit, të cilët u përpoqën të iknin nga vetura e tyre, u vranë nga një dron. Në veturën e tyre u gjetën eksplozivë dhe një sasi e madhe parash. Hamasi konfirmoi se të tre personat e vrarë ishin pjesëtarë të Brigadës Al-Wassam, krahut të armatosur të grupit.
Operacioni i gjerë izraelit, i cili përfshin qindra trupa dhe policë, ka filluar të mërkurën në Xhenin dhe Tulkarm. Forcat izraelite, të mbështetur nga helikopterë dhe dronë, kanë lëvizur thellë në këto zona, ndërsa buldozerët e blinduar kanë shkatërruar rrugët për të larguar bombat e vendosura nga grupet militante. Ky operacion është një përpjekje për të shkatërruar infrastrukturën e militantëve dhe për të ndaluar sulmet ndaj forcave izraelite.
Përshkallëzimi i armiqësive në Bregun Perëndimor ndodhi në një periudhë të tensionuar, ndërkohë që luftimet mes forcave izraelite dhe militantëve të Hamasit vazhdojnë në Rripin e Gazës që nga fillimi i luftës 11 muaj më parë. Po ashtu, janë rritur përleshjet në zonën kufitare Izrael-Liban, ku Hezbollah, i mbështetur nga Irani, është përfshirë në konfrontime me Izraelin. Në dy ditët e para të operacionit në Bregun Perëndimor janë vrarë të paktën 17 palestinezë, përfshirë një komandant të Xhihadit Islamik në Tulkarm.