Situata në Liban ka njohur një përshkallëzim të mëtejshëm me sulmet ajrore të fundit izraelite, të cilat kanë goditur periferitë jugore të Bejrutit dhe zonat përreth aeroportit ndërkombëtar të kryeqytetit. Agjencia libaneze e lajmeve ANI raportoi se më shumë se dhjetë sulme të njëpasnjëshme u kryen gjatë natës, të cilat janë konsideruar ndër më të dhunshmet që nga fillimi i konfliktit mes Izraelit dhe Libanit. Shpërthimet e fuqishme shkaktuan tronditje të thella, duke ‘shkundur’ të gjitha ndërtesat në zonë, dhe jehona e bombardimeve u ndie edhe në rajonet malore përtej Bejrutit.
Sipas dëshmive të banorëve lokalë, toka u drodh gjatë natës për shkak të shpërthimeve. Mohammed Sheaito, një shofer taksie 31-vjeçar nga periferitë jugore të Bejrutit, deklaroi për AFP se qielli ishte ndriçuar nga fuqia e shpërthimeve. Sulmet izraelite prekën gjithashtu zonën pranë aeroportit ndërkombëtar të Bejrutit, i cili kufizohet me Dahieh, bastioni kryesor i Hezbollahut në kryeqytet.
Raportimet nga zyrtarë izraelitë, të cituar në kushte anonimiteti nga “New York Times”, sugjerojnë se sulmet e fundit kishin si objektiv Safi Al-Din, i cili përflitet si pasardhësi i mundshëm i liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah. Megjithatë, ende nuk është konfirmuar plotësisht nëse Al-Din ishte shënjestra kryesore e këtyre sulmeve ajrore.
Në anën tjetër, shumë vende perëndimore kanë filluar të largojnë shtetasit e tyre nga Libani, për shkak të rrezikut të përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit. Italia njoftoi rikthimin e 178 shtetasve të saj në mëngjesin e sotëm, të cilët u kthyen në aeroportin e Fiumicino në Romë, ku u pritën nga familjarët e tyre.
Ndërkohë, në Teheran ka nisur ceremonia përkujtimore për liderin e vrarë të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, i cili u vra më 27 Shtator gjatë bombardimeve izraelite në Liban. Ceremonia u mbajt në praninë e liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei. Sipas burimeve të mediave, trupi i Nasrallah është varrosur përkohësisht në një vend të fshehtë për të shmangur një sulm të mundshëm izraelit nëse mësohej vendndodhja e varrimit dhe koha e ceremonisë.