Një shpërthim me tritol i ndodhur rreth tre muaj më parë në Elbasan, i mori jetën padrejtësisht një të riu të pafajshëm, Enea Thomaraj, 29 vjeç. Ngjarja e ndodhur më 14 korrik në banesën e motrave Xhovana dhe Alda Nikolli shkaktoi plagosjen e rëndë të Eneas, i cili ndërroi jetë pas një lëngimi tre mujor në intubim. Gazetari i njohur Blendi Fevziu reagoi në lidhje me këtë tragjedi, duke theksuar se sa lehtë merret jeta në vendin tonë.
Në postimin e tij, Fevziu thekson se Enea iku nga kjo jetë pa ditur kush ia mori atë. “Siç nuk e di as babai, as të afërmit, as fqinjët, që vajtonin sot për të. Madje as shteti, që ka për detyrë të ruajë çdo qytetar,” shprehet ai.
Fevziu vazhdon duke përshkruar se ky djalë i ri, 29 vjeçar, mund të kishte pasur një ditë të zakonshme si çdo tjetër: “Mund të ishte kthyer sot nga puna, punonte gjithë javën për të mbajtur familjen e tij në Elbasan. Mund të kishte pirë një kafe poshtë pallatit, mund të kishte takuar një mik, mund të kishte folur me babain për ëndrrat e tij dhe mbase mund të ishte shlodhur pak duke menduar që fundjava po vjen.” Por Enea nuk arriti ta bënte asnjë nga këto; ai mbylli sytë sot në mëngjes, pas një lëngimi të gjatë.
Ai u bë viktimë e një atentati, pa qenë as objektiv dhe as i përfshirë në ngjarje. Enea ndodhej në shtëpinë e tij kur shpërthimi në apartamentin përballë i hodhi derën në kokë, duke i shkaktuar një dëmtim fatal. Ai ishte duke shkuar nga dhoma e gjumit në banjo, sapo kishte thënë natën e mirë të atit, pa pasur asnjë lidhje me ngjarjet e ndodhura një metër më tej në apartamentin përballë, ku qëndronin qeraxhinjtë.
Ishte një punëtor i thjeshtë, një nga ata që punojnë çdo ditë për të mbijetuar, por krimi e goditi papritur, duke e justifikuar humbjen e tij me termin “dëm kolateral.” “Iku nga kjo jetë pa ditur kush ia mori atë. As babai, as të afërmit, as fqinjët nuk dinë, madje as shteti që ka për detyrë të ruajë çdo qytetar,” përfundon ai.
“U prehsh në Paqe Enea. Në këtë botë iken edhe kur s’ke faj për asgjë!”