1.5 C
Tiranë
Saturday, November 23, 2024
spot_img

Përmbytjet në Vlorë: Situata po normalizohet, por banorët kërkojnë ndihmë

Në qytetin e Vlorës, situata e përmbytjeve ka filluar të përmirësohet pas reshjeve të dendura që përfshinë qytetin dy ditë më parë. Reshjet, që ndodhën të premten pasdite, shkaktuan përmbytje masive në disa lagje të qytetit, duke prekur qindra banesa dhe biznese. Megjithatë, të dielën, uji ka filluar të tërhiqet falë motit të mirë, dhe ekipet e emergjencave civile po punojnë për të normalizuar situatën.

Banorët dhe autoritetet vendore po përballen me pasojat e përmbytjeve, ndërsa shumë familje, sidomos ato me kushte të vështira ekonomike, kërkojnë ndihmë për dëmet e shkaktuara. Sipas përgjegjësit të emergjencave civile në Prefekturën e Vlorës, Robert Skëndaj, të gjitha rrugëkalimet kryesore brenda qytetit janë bërë të kalueshme, dhe po punohet për të larguar ujin nga garazhet dhe vendparkimet e pallateve, ku janë bllokuar dhjetëra makina.

Banorët e prekur kanë fajësuar autoritetet vendore për mosmarrjen e masave paraprake, duke theksuar se kanalet e kullimit ishin të papastruara, gjë që rëndoi më tej situatën. Familjet që jetojnë në zonën pranë rrugës transballkanike janë ndër më të goditurat, dhe disa prej tyre shprehen se nuk kanë përjetuar kurrë një situatë kaq të rëndë si kjo. Flamur Çobo, një banor i kësaj zone, thotë se kanalet dikur funksiononin, por tani janë të papastruara dhe që për pasojë, të gjitha pajisjet elektroshtëpiake janë dëmtuar.

Ndërkohë, Valbona Çobo, anëtare e familjes me pesë pjesëtarë, thekson se situata ishte shumë e rrezikshme për gjithë familjet në këtë zonë. Ajo shpreh shqetësimin se familja jeton vetëm me një rrogë dhe deri tani nuk ka marrë asnjë mbështetje nga bashkia, ndërsa e kanë kaluar natën në makinë. Banorët e lagjes gjithashtu kanë bërë përgjegjës autoritetet vendore për bllokimin e kanalit që duhej të tërhiqte ujrat.

Autoritetet vendore në Vlorë kanë vlerësuar se reshjet e mëdha në një kohë të shkurtër sollën përmbytjet, ndërkohë që faktorë të tjerë si kanali i ujrave të larta të qytetit dhe ndërtimet informale duken se kanë rënduar situatën. Përgjegjësi i emergjencave, Robert Skëndaj, shpjegon se situata e përmbytjeve erdhi si pasojë e reshjeve të mëdha që nuk ishin parë më parë në Vlorë, në një periudhë shumë të shkurtër dhe nga dalja e kanalit të ujrave të larta të qytetit.

Masat nga ana e Bashkisë dhe Komisioni i Mbrojtjes Civile në qark ishin marrë për të përballuar një situatë emergjente vjeshtë-dimër. Por, duke u nisur nga një intensitet shumë i lartë i reshjeve që ranë të premten, nga ora 14:20 deri në 16:45 ka rënë 180 mm shi për një interval gati dy orë. Në bazë të statistikave që kemi ne, kjo është sasia e reshjeve që bie gjatë një muaji në periudhën e dimrit në Vlorë. Intensiteti i lartë i reshjeve, prurjet e mëdha, dalja dhe nga niveli i kanalit të ujrave të larta bëri një situatë të papërballueshme,” tha Skëndaj.

Drejtuesit e bashkisë së Vlorës kanë deklaruar se kanali për tërheqjen e ujrave ka probleme të mbartura ndër vite, si dhe për shkak të investimeve të gabuara që janë bërë, sipas tyre, nga individë, por edhe përgjegjësia e institucioneve për ndërtimet e lejuara. Vlora, si shumë qytete në Shqipëri, vuan nga problemet e mëdha të informalitetit të ndërtimeve, që në shumë raste kanë bllokuar rrjetet e tërheqjes së ujrave.

Ndërkaq, Partia Demokratike e opozitës në Vlorë ka drejtuar kritika të forta ndaj qeverisë vendore dhe asaj qëndrore. Në një deklaratë për mediat, kryetari i degës vendore të demokratëve, Atird Hoxha, kërkoi që prokuroria të hetonte mbi faktorët që sollën përmbytjen dhe dëmet në shtëpi dhe biznese. “Në këto kushte, Partia Demokratike, dega Vlorë, i bën thirrje prokurorisë të nisë menjëherë hetimet për situatën e krijuar në qytet, pasi është e qartë se nevoja për masa paraprake dhe efektive nuk është përmbushur, duke e lënë qytetin të pambrojtur dhe në mëshirë të fatit,” deklaroi ai.

Në zemër të qytetit, afër Sheshit të Flamurit, punonjësit e ujësjellësit po tërheqin ujin nga xhamia historike, e cila u përmbyt, ndërsa mjetet janë afruar nga Durrësi si solidarizim me këtë situatë të vështirë. Banorët e dëmtuar në Vlorë thonë se presin mbështetje nga bashkia, ndërkohë që autoritetet kanë deklaruar se sapo të kalojë situata e emergjencës, do të dalin në terren për të takuar familjet dhe bizneset që janë prekur nga përmbytja. Bashkia e Vlorës thotë se ka nisur shpërndarjen e 300 pakove me ushqime për familjet e prekura nga përmbytjet, por shumë familje të varfra pohojnë se nuk kanë marrë asnjë ndihmë emergjente.

Përmbytjet e pasdites të së premtes në Vlorë dëmtuan qindra shtëpi dhe biznese, ndërsa qarkullimi i mjeteve u paralizua nga uji. 33 familje u evakuuan, ndërkohë që qyteti njohu probleme të furnizimit me energji elektrike.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT