6.5 C
Tiranë
Saturday, November 23, 2024
spot_img

Operacion Ndërkombëtar i SPAK dhe Autoriteteve Italiane,Goditet grupi kriminal që trafikonte kokainë nga Amerika e Jugut, 25 persona të arrestuar

Një grup kriminal që trafikon sasi të mëdha kokaine nga Amerika e Jugut drejt porteve detare italiane, kryesisht atij të Livornos, është goditur nga SPAK në bashkëpunim me autoritetet italiane. Dy persona janë arrestuar në Shqipëri në kuadër të operacionit të përbashkët ndërkombëtar, i mbështetur gjithashtu nga Eurojust, që u realizua dje, më 5 nëntor 2024, edhe në territorin italian.

Në total, janë arrestuar 23 persona në Itali, në rajone si Toskanë, Kalabri, Lazio, Puglia, Campania, Lombardi, Veneto dhe Liguria, si dhe dy persona në Shqipëri. Të arrestuarit në Shqipëri janë Maksim Ndoci dhe Juljan Kollçaku. Hetimet ndaj këtij rrjeti kriminal shqiptar u iniciuan nga Prokuroria e Firences në Itali që në vitin 2021, dhe SPAK dha një bilanc të rëndësishëm.

Sipas hetimeve të kryera, është bërë e mundur kapja e mbi 2 ton kokainë, 45 kg hashash dhe 20 kg marijuanë, që grupi kriminal kishte për qëllim ta shiste në tregjet italiane. Nga ky aktivitet, grupi do të kishte përfituar rreth 70 milionë euro. Përveç kësaj, janë arrestuar në flagrancë tre anëtarë të këtij grupimi.

SPAK ka zbuluar gjithashtu mënyrën se si ngarkesat e mëdha të drogës nga Amerika e Jugut përfundonin në portet italiane. Grupi kriminal, i strukturuar, ishte aktiv si furnizues me shumicë i drogës në tregjet italiane. Dërgesat e drogës dërgoheshin nga Amerika e Jugut në kontejnerë, përmes porteve italiane të Livornos, Gjenovës dhe Savonës, dhe më pas shpërndaheshin në vende të tjera evropiane. Kontejnerët ruheshin në portet e mbërritjes, ku ekipet e posaçme kujdeseshin për rikuperimin e lëndës narkotike dhe nxjerrjen e dërgesave nga zonat portuale.

Për të lehtësuar operacionet e identifikimit dhe gjetjes së kokainës, grupi përdorte pajisje radiolokalizimi, ndërsa lënda fshihej brenda kontejnerëve të ngarkuar me mbulesë frutash ekzotike ose në hapësirat e posaçme të krijuara për këtë qëllim. Hetimet e zhvilluara në kuadër të planit operacional “BOCA DEH RIO” dyshojnë se këta shtetas, të organizuar si grup, gjatë periudhës 2018-2024, kanë trafikuar sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike kokainë nga Amerika Latine dhe më pas e kanë shitur në qytetet Pisa, Firence, Livorno, Venecia dhe Romë.

Hetimet ndaj rrjetit kriminal shqiptar u iniciuan nga Prokuroria e Firences në Itali, dhe hetimi u mbështet nga përgjimet e shkëmbimeve të informacionit mes organizatave kriminale, të cilat përdornin mjetin e komunikimit të koduar, SkyECC. Po gjatë ditës së djeshme, me prezencën e Guardia di Financa, është kryer një kontroll i 18 banesave të personave të dyshuar, një pjesë e të cilëve janë rezidentë në Itali, por gjithashtu edhe me banim në Shqipëri.

Gjatë këtyre kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar 20,000 euro, 52 orë të markave të ndryshme, si Rolex dhe të tjera, një automjet Audi RSQ8 i vitit 2020, 3 celularë, një armë zjarri pistoletë Beretta me 15 fishekë, si dhe pajisje të tjera. Operacione të ngjashme janë duke u zhvilluar në Francë, Rumani dhe në vende të tjera të përfshirë në këtë rrjet kriminal ndërkombëtar.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT