Anna Sorokin, e njohur si “Anna Delvey” dhe protagonistja e serialit të Netflix “Të krijosh Annën” (Inventing Anna), ka marrë pjesë në spektaklin “Dancing With the Stars” këtë shtator në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që është nën arrest shtëpie, duke mbajtur një byzylyk elektronik. Në një intervistë për Associated Press, Sorokin e ka cilësuar këtë si një gjë të lehtë, duke shtuar se e ka shtrënguar byzylykun që ai të mos lëvizë.
Sorokin u dënua në vitin 2019 për mashtrim me shuma të mëdha, duke u akuzuar se kishte vjedhur mbi 200 mijë dollarë nga bankat, restorantet, hotelet dhe individë të shoqërisë së lartë në Manhattan. Ajo u lirua nga burgu në shkurt të 2021-shit, por u arrestua përsëri për çështje që lidhen me emigracionin. Sorokin ka nënshtetësi gjermane dhe kishte kaluar kohën e qëndrimit në SHBA, ndaj autoritetet e kërkojnë të largohet nga vendi, por ajo ka apeluar këtë vendim dhe aktualisht është në arrest shtëpie në Nju Jork, duke pritur përfundimin e çështjes gjyqësore.
Duke pretenduar të jetë një trashëgimtare gjermane me pasuri të madhe, Sorokin mashtroi shumë institucione dhe individë, duke përdorur dokumente të falsifikuara dhe çeqe bosh për të jetuar një jetë luksoze në Shtetet e Bashkuara. Ajo është parë duke marrë pjesë në evente mondane, përfshirë një sfilatë mode në Nju Jork dhe, sipas zërave të pakonfirmuar, mund të bashkëpunojë sërish me Netflix për një sezon të dytë të “Të krijosh Annën”.