Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në aksin Kapshticë–Kostur, në territorin grek, rreth 15 kilometra larg pikës kufitare të Kapshticës.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet ku udhëtonin tre vajza shqiptare është përplasur me bordurën e rrugës dhe më pas është përmbysur në mes të aksit.
Si pasojë e përplasjes, njëra prej vajzave ka mbetur e plagosur rëndë. Sipas dëshmisë së një qytetari që ndodhej në vendngjarje, vajza e plagosur rëndë ishte pasagjere në sediljen e pasme dhe dyshohet se është hedhur jashtë automjetit në momentin e përmbysjes së makinës.
Ndërkohë, drejtuesja e mjetit dhe pasagjerja tjetër kanë pësuar dëmtime më të lehta. Personat e pranishëm në vendngjarje u kanë dhënë ndihmën e parë të plagosurave deri në mbërritjen e ambulancës.
Më pas, të treja vajzat janë transportuar me ambulancë drejt spitalit, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Autoritetet greke pritet të sqarojnë rrethanat e plota të aksidentit.






