Një incident shqetësues ka alarmuar prindërit dhe autoritetet në Holandë, pasi disa persona – përfshirë fëmijë – raportuan marrje mendsh dhe simptoma të sëmundjes pas konsumimit të karameleve Haribo Happy Cola F!ZZ. Pas analizave mjeko-ligjore, u zbulua prania e kanabisit në produktet e markës së njohur gjermane të ëmbëlsirave.
Policia holandeze konfirmoi se pakot ishin produkte origjinale Haribo, duke e bërë ngjarjen edhe më alarmante. Një çift nga rajoni Twente, në lindje të vendit, solli një pako në stacionin lokal të policisë pasi fëmijët e tyre u ndjenë keq menjëherë pas konsumit. Testet zbuluan praninë e THC-së, substancës psikoaktive të kanabisit.
Zëvendëspresidenti i marketingut në Haribo, Patrick Tax, deklaroi se bëhet fjalë për një numër të kufizuar rastesh dhe se siguria e konsumatorëve është përparësia kryesore e kompanisë. “Jemi duke bashkëpunuar ngushtësisht me autoritetet holandeze për të zbardhur rrethanat e këtij incidenti serioz,” u shpreh ai.
Ky nuk është rasti i parë në Holandë që karamelet përdoren si mbulesë për drogë. Në vitin 2023, gjashtë fëmijë në Hagë u sëmurën pas konsumimit të ëmbëlsirave që përmbanin THC, ndonëse ato nuk ishin produkte zyrtare komerciale. Policia paralajmëron se trafikantët e drogës po përdorin ëmbëlsira të njohura për të maskuar substancat narkotike, duke përfshirë edhe kopje të karameleve Haribo, të cilat gjenden në shitje në internet me përmbajtje THC.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të verifikojnë me kujdes origjinën e produkteve ushqimore, sidomos ato që konsumohen nga fëmijët, dhe të raportojnë çdo rast të dyshimtë. Hetimet vijojnë ndërsa incidenti ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë ushqimore dhe kontrollin në zinxhirin e shpërndarjes.






