Protesta e mbajtur nga Partia Demokratike këtë të dielë nuk prodhoi asgjë të re në skenën politike, përveç një detaji që tërhoqi vëmendjen e diplomacisë: në vend të flamujve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që zakonisht përdoren si simbol i mbështetjes ndaj opozitës, tubuesit mbanin flamuj gjermanë.
Ky simbolizim i ri, i shoqëruar me përdorimin e mjeteve piroteknike dhe molotovëve, shkaktoi reagim të ashpër nga Ambasada e Gjermanisë në Tiranë. Në një deklaratë zyrtare, ambasada thekson se dhuna e përdorur gjatë demonstratës është e papranueshme dhe u kërkon drejtuesve të PD-së të distancohen qartë nga çdo akt agresiv.
“Ambasada Gjermane dënon dhunën e papranueshme në kuadër të demonstratave të djeshme. Protestat politike dhe e drejta për të demonstruar janë të drejta themelore në çdo shoqëri demokratike. Por ato nuk mund të përligjin asnjëherë dhunën ndaj personave apo objekteve. Ne kërkojmë prej përfaqësuesve të partive politike përgjegjëse të distancohen në mënyrë të paekuivoke nga dhuna”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Zgjedhja e flamujve gjermanë lidhet me zhvillimet e fundit politike dhe kritikat që Bashkimi Europian, veçanërisht Gjermania, i ka bërë qeverisë së kryeministrit Edi Rama, sidomos pas vendimit për mosarrestimin e Belinda Ballukut, një çështje që u pa si ndikim i drejtpërdrejtë në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
Analistët politikë vënë në dukje se heqja e flamujve amerikanë dhe zëvendësimi me ata gjermanë mund të shihet si një sinjal simbolik për zhgënjimin e demokratëve mbi mosrealizimin e disa kërkesave të tyre: mos heqjen e statusit “non-grata” për Sali Berishën, refuzimin e disa emrave të arkitektëve të fushatës së PD-së, si dhe vonesat në procesin e ndërkombëtarizimit të kritikave ndaj kryeministrit Rama.






