TIRANË – Apeli i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur ndryshime të rëndësishme në masat e sigurisë për të dyshuarit e rrjetit të call centerave mashtrues, i cili dyshohet se ka mashtruar qindra qytetarë europianë.
Sipas vendimit të datës 24 shkurt 2026, Remir Gjoligaj, Endri Gjata, David Qerimi dhe Elis Merkaj janë liruar nga paraburgimi dhe tani ndodhen në arrest shtëpie, duke u ndaluar të largohen nga banesat e tyre. Ndërsa, Hysen Xhepexhiu dhe Klaudio Kaçupi do të qëndrojnë në arrest me burg, vendim i cili mbetet në fuqi.
Të gjithë këta persona u arrestuan pas një operacioni të SPAK dhe BKH në dy kullat luksoze të Tiranës, ku u sekuestruan pajisje që përdroheshin për aktivitetin kriminal. Përveç tyre, dy punonjës të call center-it, Rentjan Peposhi dhe Odeas Kuqi, janë nën hetim, ndërsa gjashtë të tjerë ndihmuan në transportimin e pajisjeve nga një kullë në tjetrën.
Në urdhërin e Apelit theksohet se arrestimi në flagrancë i të katër personave që kaluan në arrest shtëpie është i ligjshëm dhe se lirimi i tyre nga paraburgimi është i mundur nëse nuk ekziston ndonjë shkak tjetër për mbajtjen e tyre.
Ky vendim shënon një kthesë në trajtimin e të dyshuarve, duke kombinuar masa shtrënguese të ndryshme, në varësi të rolit dhe rrezikut që paraqet secili në këtë skemë mashtrimesh.
Në këtë moment, hetimet për rrjetin e call centerave vazhdojnë dhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është ngarkuar për ekzekutimin e vendimit.






