Gjykata e Dibrës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për efektivin e policisë, Jetmir Uta, 24 vjeç, i cili akuzohet për veprat penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura” dhe “Shpërdorim detyre”.
Uta u arrestua më 29 nëntor, sapo u kthye në Shqipëri pas disa ditësh në arrati. Arrestimi vjen pas kallëzimit të bërë nga një 18-vjeçare, e cila deklaroi se oficeri kishte abuzuar me pozitën e tij për të kryer marrëdhënie seksuale me të pa dëshirën e saj. Denoncimi u bë në prani të nënës së vajzës.
Sipas Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), nën hetim është vënë edhe nëna e Jetmir Utës, e cila dyshohet se ka ushtruar presion mbi vajzën për të mos bërë kallëzim. Hetimet tregojnë se Uta gjithashtu e kishte kërcënuar të resë duke i kërkuar të takohej sërish, duke kërcënuar se do të publikonte foto dhe video komprometuese të siguruara më parë në mënyrë të paligjshme.
Policia dhe autoritetet ligjore vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e të gjitha personave të përfshirë.






