Stamboll – Shërbimi Sekret Turk (MIT), në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Policinë e Stambollit, ka arrestuar Serkan Çiçek, një detektiv privat, i cili dyshohet se spiunonte për inteligjencën izraelite, Mossad.
Operacioni, i koduar “Metron Activity”, u zhvillua pas hetimeve që zbuluan kontaktet e Çiçek me Faysal Rasheed, një anëtar të Qendrës Izraelite për Operacione në Internet. Hetimet tregojnë se Çiçek spiunonte një aktivist palestinez në Basaksehir që kundërshtonte politikën e Izraelit në Lindjen e Mesme.
Sipas burimeve të sigurisë, Çiçek kishte ndryshuar emrin e tij në Muhammet Fatih Keleş për shkak të borxheve të mëparshme dhe kishte hapur një agjenci detektivësh në vitin 2020. Ai u kontaktua nga Mossad për të kryer një mbikëqyrje katër-ditore të aktivistit, duke marrë 4,000 dollarë në kriptomonedhë më 1 gusht.
Përveç Çiçek, është arrestuar edhe avokati Tuğrulhan Dip, i dyshuar për ofrimin e informacionit në këmbim të përfitimeve financiare, si pjesë e këtij rrjeti spiunazhi. MIT kërkon të identifikojë të gjithë aktorët e përfshirë dhe të ndalojë aktivitetet e spiunazhit kundër Turqisë.






