Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës Artan Lame këtë fundjavë ka qenë në Finiq për të dorëzuar certifikatat e para të pronësisë në mënyrë elektronike.
I shoqëruar nga kryetari i bashkisë Finiq, Kristaq Kiço dhe drejtoresha e Kadastrës së Sarandës Aida Demi, Lame njoftoi dhe mbylljen e procesit të azhornimit të hartës së tokës bujqësore, e bërë kjo në bashkëpunim me Bashkinë.
Në këtë zonë, numri total i pasurive është 2700, prej të cilave rreth 2000 janë parcela bujqësore (AMTP), ndërsa të tjerat objekte, shtëpi banimi, etj. Artan Lame në bashkëbisedim me kryetarin e Finiqit tha se: “Regjistrimi fillestar në zonat që nuk është bërë, është kthyer në një kalvar i mbartur për fat të keq, që prej vitit 1994 kur ka filluar. Jemi munduar ta nxisim këtë proces në ato njësi vendore ku Bashkitë, kanë bashkëpunuar me Kadastrën, të bëjnë punimet fushore dhe pastaj ky material i kalon Kadastrës, ku pas një pune voluminoze materiali përpunohet, hidhet në sistem dhe prodhohen çertifikatat. Lame ka bërë një ftesë dhe për bashkitë e tjera që të bashkëpunojnë me Kadastrën për të përmbyllur procesin e regjistrimit.
“Ftojmë publikisht edhe Bashki të tjera që, përmes bashkëpunimit me Kadastrën, të përshpejtojnë procesin e regjistrit fillestar. Këtu në Finiq, me këtë mënyrë operimi përfunduam regjistrimin e pronave në Aliko dhe kemi për të bërë edhe zona të tjera, në Çaush, Kodër dhe Buronjë, pjesë të kësaj Bashkie monoritare.
E reja tjetër që ka ky proces, është që tashmë të gjitha certifikatat e pronësisë lëshohen në rrugë elektronike, përmes portalit shtetëror e-albania”, tha Lame.