Biznesmeni nga Kosova, Behgjet Pacolli, ka reaguar ashpër pas deklaratave të akuzuarit Granit Plava në sallën e gjyqit, i cili pretendoi se Pacolli kishte dijeni për planin e vrasjes së Liridona Ademajt.
Pacolli e mohon çdo lidhje me ngjarjen dhe thekson se heshtja e tij deri tani ka qenë nga dinjiteti, jo nga frika. “Askush nuk ka të drejtë ta përdorë emrin tim për alibi, për mbrojtje apo për larje imazhi”, shkruan ai.
Në reagimin e tij të gjatë, Pacolli nënvizon: “Njerëzit më të rrezikshëm nuk janë gjithmonë ata që bota i njeh si të këqij; shpesh janë ata që i ke ndihmuar më së shumti, e që, sapo ua ndal dorën, kthehen kundër teje me helm, përgojim dhe pabesi”.
Ai përfundon duke theksuar se heshtja nuk është dobësi, por një zgjedhje për të mos rënë në nivelin e atyre që shfrytëzojnë mirësinë për interesa të tyre personale.






