Avokati i njohur Çedomir Stojkoviç është ndaluar nga anëtarë të Agjencisë së Sigurisë Informative të Serbis pasi vizitoi varrezat e familjes Jashari në Prekaz. Lajmin e konfirmoi vetë Stojkoviç, duke thënë se ishte mbajtur për katër orë dhe më pas u lirua për lëvizje të lirë.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në platformën ‘X’, Stojkoviç shprehet se lirimi i tij nuk është rezultat i vullnetit të autoriteteve, por se ata e liruan atë duke pasur parasysh se një arrestim mund të shkaktonte presion nga opinioni botëror.
“Unë u lirova sepse autoritetet ishin në dijeni se nëse do të më arrestonin edhe mua, presioni nga publiku botëror do të ishte shumë i madh,” shkroi ai.
Stojkoviç vazhdoi duke kërkuar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, të shpjegojë pse ai ishte përjashtim në krahasim me Nikolla Sanduloviçin, i cili u sulmua brutalisht pasi u publikuan pamjet nga vizita e tij te të rënët në Prekaz.
Sipas avokatit Stojkoviç, zyrtarët e BIA-s që folën me të kishin një qasje profesionale, bënin pyetje që i interesonin, u sollën me mirësjellje, dhe se nuk ndjeu asnjë armiqësi pavarësisht siç tha, mosmarrëveshjeve të tyre.
“Paraburgimi im prej katër orësh (maksimumi ligjor) është rezultat i vendimeve të dikujt tjetër. Gjatë asaj kohe kemi pasur mundësi të shkëmbejmë mendime pa tension. Në fjalët e shkëmbyera, shoh një shans për të ndryshuar mendimin e tyre, sigurisht për arsyet e mia. Sepse edhe BIA duhet ta kuptojë se armiku është nga brenda dhe këta janë të gjithë ata që Serbinë e reduktojnë në nivelin e një komuniteti primitiv, duke filluar nga presidenti. Ndoshta prokurori publik në Beograd mendon ndryshe. Të shohim kur të shkoj atje”, shkroi Stojkoviç.
Kujtojmë edhe njëherë se Stojkoviç ishte në Prekaz dhe vendosi lule te varri i Blerina Jasharit, e cila ishte vetëm shtatë vjeç kur u vra nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.
Përveç luleve, avokati la edhe një letër ku ndër të tjera, ai tha se shpresa dhe ëndrra fillojnë me fjalën “më fal”.