Gazetarja Klodiana Lala ka dhënë detaje të reja lidhur me operacionin e SPAK kundër grupit kriminal të drejtuar nga Inez Hajrulla në Vlorë, duke e cilësuar hetimin si vetëm “maja e ajsbergut”.
Sipas Lalës, gjatë operacionit forcat speciale RENEA kanë mësyrë në banesat e blinduara të Hajrullës, të vendosura në pallatet Oslo. Kontrollet janë përqendruar kryesisht në katet e teta, pasi nga komunikimet e zbërthyera në aplikacionin SKY ECC dyshohej se ai qëndronte në ato ambiente.
Ajo tregoi se banesat ishin të pajisura me dyer të blinduara dhe sisteme kamerash me rezolucion të lartë, ndërsa sipas hetimeve personat brenda komunikonin vazhdimisht me njëri-tjetrin.
Lala theksoi se Inez Hajrulla mori drejtimin e një prej grupeve më të rrezikshme në Vlorë pas vrasjes së Edison Harizajt, i cili dyshohej për urdhërimin e disa vrasjeve dhe zhdukjeve për të marrë kontrollin e territorit. Në fillim Hajrulla konsiderohej një figurë pa shumë peshë në grup, por më pas ai mori drejtimin dhe përfshihet në përplasje të forta me grupe të tjera kriminale.
Sipas saj, konflikti më i ashpër ishte me grupin e Fatmir Hysenit, i shpallur në kërkim ndërkombëtar si vrasës me pagesë. Një nga akuzat kryesore që rëndon mbi këtë rrjet është edhe vrasja e Santiago Malkos, i njohur si krahu i djathtë i Erdvis Martinajt.
Nga komunikimet e SKY ECC dyshohet se Hajrulla kishte planifikuar ekzekutimin e Fatmir Hysenit dhe Armando Sulejmanit, por duke mos arritur t’i kapte ata, kishte vendosur në shënjestër persona të tjerë, mes tyre Gentian Qarri dhe Bledar Birçaj. Sipas Lalës, grupi kishte hyrë madje në lokalin e Birçajt dhe kishte vendosur kamera për të monitoruar lëvizjet e tij.
Në hetime janë përfshirë edhe emra të tjerë, si Flodian Plaku dhe Menduh Duka, ndërsa dyshohet se në aktivitetin e grupit janë implikuar edhe zyrtarë policie, ku një prej tyre është arrestuar në detyrë për informim të grupit.
“Hetimi është vetëm maja e ajsbergut. Ende nuk është zbërthyer plotësisht aplikacioni i tij dhe kjo mund të hedhë dritë mbi një sërë ngjarjesh kriminale në Vlorë”, u shpreh gazetarja Klodiana Lala.






