Sekretari organizativ i Partisë së Lirisë Endrit Braimllari deklaron se Shqipëria nuk është ende gati për t’u bërë pjesë e familjes së madhe europiane për shkak të qeverisë së rilindjes, e cila me keqeverisjen dhe kokëfortësinë e saj vijon ta tregojë vendin tonë si një dele e zezë e paligjshmërisë dhe bashkëpunimit me krimin.
Duke iu referuar raportit të Komisionit Europian, Braimllari shkruan se qeveria shqiptare ngel në klasë në 4 çështje të rëndësishme siç është lufta kundër korrupsionit, liria e medias, amnistia fiskale dhe nisma e pasaportave të arta.
Ai thekson se ora e ndëshkimit të Ramës me votë po troket, pasi një qeveri që nuk mendon e punon për popullin meriton të ndëshkohet.
POSTIMI I PLOTË
Komisioni Europian, katër shpulla qeverisë shqiptare
Bashkëpunimi me krimin, pastrimi i parave problem serioz i qeverisë së Rilindjes.
Ndonëse prej korrikut të shkuar Bashkimi Europian pranoi të nisë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, kjo e fundit duket se nuk është ende gati për t’u bërë pjesë e familjes së madhe europiane.
Dhe kjo jo për faj të Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë, të cilët rezultojnë të jenë një nga popujt më pro perëndimor në gjithë rajonin, por për shkak të qeverisë së rilindjes, e cila me keqeverisjen dhe kokëfortësinë e saj vijon ta tregojë vendin tonë si një dele e zezë e paligjshmërisë dhe bashkëpunimit me krimin.
Këtë e tregon edhe draft-raporti i progresit që Komisioni Europian ka përgatitur për këtë vit për Shqipërinë.
Siç bën të ditur VOA, e cila ka mundur ta sigurojë këtë raport qeveria shqiptare ngel në klasë në 4 çështje të rëndësishme siç është lufta kundër korrupsionit, liria e medias, amnistia fiskale dhe nisma e pasaportave të arta.
Sa i takon luftës kundër korrupsionit Komisioni thotë se ai “mbetet një fushë me shqetësim serioz”.
Në raportin e Komisionit Europian konstatohet gjithashtu shqetësimi lidhur me nismën e qeverisë për dhënien e shtetësisë të huajve të pasur që duan të investojnë në vend.
Komisioni thotë se “Shqipëria duhet të heqë dorë nga zhvillimi i një skeme të nënshtetësisë së investitorëve (pasaporta të arta) pasi do të paraqiste rreziqe, sa i përket sigurisë, pastrimit të parave, evazionit fiskal, financimit të terrorizmit, korrupsionit dhe infiltrimit të krimit të organizuar dhe do të ishte i papajtueshëm me normat e BE-së”.
Një tjetër shqetësim i shprehur nga Komisioni në draft-raport është edhe ai për amnistinë fiskale. Madje Komisioni i kujton qeverisë shqiptare është “në listën gri” sa i takon luftës kundër financimit të terrorizmit dhe kundër pastrimit të parave, e për këtë arsye “duhet të zbatojë elementët e mbetur të planit të veprimit të Task Forcës së Veprimit Financiar. Miratimi i një amnistie tatimore dhe penale kundër këshillave të BE-së dhe Moneyval-it, mund të rrezikojë përparimin në këtë fushë”.
Një fushë tjetër ku vlerësohet se Shqipëria “nuk ka bërë përparim”, është ajo e lirisë së shprehjes. “Ndërthurja e interesave të biznesit dhe politikës vazhdoi të pengonte pavarësinë e medias dhe cilësinë e gazetarisë.
Dezinformatat duke përfshirë fushatat e shpifjeve janë të përsëritura, veçanërisht në mediat online, vetërregullimi i të cilave duhet të sigurohet. Atmosfera e sulmeve verbale, fushatave shpifëse dhe akteve të frikësimit ndaj gazetarëve nuk është përmirësuar”, vë në dukje raporti, duke theksuar se “çdo ndryshim në Ligjin për mediat duhet të jetë në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias dhe duhet të dorëzohet për konsultim me organizatat e medias”.
Në fakt këto konstatime nuk janë të reja për shqiptarët, pasi Partia e Lirisë i ka denoncuar çdo ditë.
Por sot jemi akoma më të bindur se ora e ndëshkimit të Ramës me votë po troket, pasi një qeveri që nuk mendon e punon për popullin meriton të ndëshkohet.