16.5 C
Tiranë
Friday, November 22, 2024
spot_img

Belind Këlliçi denoncon sërish inceneratorin e Tiranës: “Abuzim i madh me taksat që paguajnë qytetarët”

Kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi në një deklaratë për mediat, ka denoncuar sërish inceneratorin e Tiranës ku tha se ky i fundit i fundit po i vjedh çdo ditë 41 mijë euro qytetarëve pasi është një abuzim i madh me taksat që këta të fundit paguajnë.

“Është një problem që u përket qytetarëve. Ka një përpjekje për ta trajtuar si një gjë të politikës, të partive, ku nganjëherë përmendet dhe drejtësia. Jo të dashur miq. Kjo është një çështje qartazi e qytetarëve të Tiranës, që u përket atyre. Sepse është abuzim i madh me taksat që ata paguajnë. Dhe është një shërbim që qytetarëve të Tiranës u mungon çdo ditë që ajo gropë korrupsioni merr 41 mijë euro”, tha ai.

Këlliçi tha se ky incenerator është një gropë korruptive pasi është marrë nga Rumania në gjendje ‘skarco’ dhe është sjellë në vendin tonë në gjendje të vjetër dhe nuk bën punën si duhet për djegien e mbeturinave.

Sakaq shtoi se në zgjedhjet e 14 majit qytetarët me votën e tyre mund t’i japin fund kësaj afere ku vidhen paratë dhe këto të fundit të kthehen në shërbime për qytetarët.

Deklarata e plotë:

Jam sot këtu për të folur për një çështje që publiku e ka dëgjuar shumë kohët e fundit. Për inceneratorin e Tiranës. Është një problem që u përket qytetarëve. Ka një përpjekje për ta trajtuar si një gjë të politikës, të partive, ku nganjëherë përmendet dhe drejtësia. Jo të dashur miq. Kjo është një çështje qartazi e qytetarëve të Tiranës, që u përket atyre. Sepse është abuzim i madh me taksat që ata paguajnë. Dhe është një shërbim që qytetarëve të Tiranës u mungon çdo ditë që ajo gropë korrupsioni merr 41 mijë euro. Kjo gropë korruptive merr çdo ditë paratë e një çerdhe që nuk nis të ndërtohet në Astir, një shkollë që nuk nis te Liqeni i Thatë, një përmirësim në furnizimin me uj që nuk ndodh, një trotuar që nuk rregullohet diku. Për shkak të asaj grope korrupsioni, janë mijëra të moshuar, studentë, familjarë, njerëz që nuk u del, që vuajnë për të mbyllur muajin, të cilëve nuk u ofrohet transporti public falas, për të zbutur sadopak koston e tyre të jetesës. Pra inceneratori i Tiranës, ka të bëjë me interesin publik, drejtpërdrejt me interesin tuaj, të dashur qytetarë të Tiranës. Ndaj jam sot këtu. Kisha vendosur të mos merresha me Veliajn, dhe jam në këtë garë për të treguar programin tim, zgjidhjet që parashikoj.

Por faktet e reja të zbuluara nga emisioni Piranjat, janë dëshmi që vërtetojnë edhe një herë përfshirjen e drejtpërdrejtë të Erjon Veliajt në këtë lloj afere, për të cilën deri më tani janë në burg një ministër, një deputet, dhe po hetohet një zevendëskryeministër.  Po ashtu një shtetas italian është ne pritje te vendimit te gjykatës italiane për ta ekstraduar ne Shqiperi. A e dini ju se paratë e avokatit të këtij shtetasi i paguani ju me taksat tuaja?  Dëshmitë e reja tregojnë se Erjon Veliaj është përfshirë në marrjen e një inceneratori të vjetër, skarco, nga Rumania, për ta sjellë në Tiranë. Aq i zgjebosur ka qenë ky incenerator, sa rumunët kanë paguar 75 mijë euro për çmontimin e tij, pra që t’jua heqin qafe. I tillë ka qenë ky incenerator, sa që edhe qeveria e Zimbabvesë, e cila ka shfaqur interes fillimisht, nuk ka pranuar ta blejë kur ekspertët e saj e kanë parë se në ç’gjendje është. Inceneratori rumun është si të marrësh Metalurgjikun e Elbasanit, ta çmontosh dhe ta paraqesësh në Rumani si teknologji të fjalës së fundit të përpunimit të hekurit e çelikut. Atë që nuk e pranuan qeveritarët patriotë të Zimbabves, e marrin këta që ekraneve bëjnë sikur u digjet zemra për Shqipërinë, bëjnë si patriotë, si modernizues, si progresistë.

Siç tregojnë faktet brutale nuk janë asgjë më shumë se një tufë e babëzitur piranjash. SPAK duhet të mos heshtë dhe duhet ta gjejë e të na thotë: ku ka shkuar inceneratori rumun? Në Fier, Elbasan apo mbahet diku, që të vendoset në Tiranë kur të mos e ketë kush mendjen? Erion Veliaj është kokë e këmbë në denoncimin e biznesmenit italian për skandalin e inceneratorëve, por Tirana nuk ka incenerator. Tirana jonë nuk ka djegës, i çon mbeturinat në landfill dhe i gropos, por sërish pagesat bëhen për incenerim.  Plot 29 euro për ton paguhen për një shërbim që nuk jepet! Depozitimi e mbulimi me dhe behej nga ndërmarrja publike per 12 e/tonin. Pse paguani ju, të dashur qytetarë të Tiranës, 17 euro ekstra për një proces që nuk ndodh, për një shërbim që nuk e merrni, për një ndotje që ju shkurton jetët?

Unë nuk e di se çfarë do të bëjë SPAK pas këtyre rrethanave të reja. Po unë di se çfarë ne kemi në dorë. Çfarë ju keni në dorë. Me 14 maj, qytetarët e Tiranës e kanë në dorën e tyre ta ndalin këtë aferë, dhe paratë që vidhen, të shkojnë për të siguruar transport publik falas, shkolla e çerdhe të reja, rrugë që mungojnë, e për të punuar për të sjellë kudo në Tiranë, ujë pa ndërprerje në banesat e qytetarëve.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT